MIJËRA NJERËZ PROTESTOJNË KUNDËR DHUNËS NË SERBI PAS VRASJEVE MASIVE

Dhjetëra mijëra serbë u mblodhën në Beograd të hënën, duke më shumë siguri, ndalim të shfaqjes së përmbajtjes së dhunshme në televizione dhe dorëheqjen e ministrave kryesorë, disa ditë pas dy sulmeve në masë, që lanë pas vetes 17 të vrarë.

Turma e paparë në vendin ballkanik prej vitesh, parakaloi solemnisht nëpër qendrën e qytetit pas një pankarte ku shkruhej, “Serbia kundër dhunës”.

“Jemi mbledhur këtu për të bërë nderimet tona të fundit, për të bërë më të mirën që kjo të mos ndodhë më kurrë, askund”, tha Borivoje Pleçeviq nga Beogradi.

Protestuesit dhe mbështetësit e opozitës kërkuan mbylljen e stacioneve televizive dhe tabloideve të cilët i akuzojnë për shfaqje të përmbajtjes së dhunshme dhe vulgare.

Partitë opozitare dhe disa grupe të të drejtave të njeriut akuzojnë presidentin Aleksandar Vuçiq dhe Partinë e tij Përparimtare Serbe (SNS) në pushtet për autokraci, shtypje të lirisë së medias, dhunë ndaj kundërshtarëve politikë, korrupsion dhe lidhje me krimin e organizuar.

Presidenti Vuçiq dhe aleatët e tij i mohojnë këto akuza. Protestuesit kërkuan gjithashtu dorëheqjen e ministrit të brendshëm Bratislav Gashiq dhe drejtorit të Agjencisë shtetërore të sigurisë, Aleksandar Vulin, si dhe shkarkimin e Komitetit Rregullator të Qeverisë për Median Elektronike (REM) brenda një jave.

Ministri i Arsimit Branko Ruzhiq dha dorëheqjen të dielën. Protestuesit kërkuan gjithashtu një seancë të jashtëzakonshme parlamentare dhe një debat rreth situatës së përgjithshme të sigurisë.

Protesta të ngjashme u mbajtën edhe në disa qytete të tjera të Serbisë. Në përgjigje të sulmeve, policia serbe shpalli të hënën një amnisti njëmujore për dorëzimin e armëve të paligjshme.

Ajo tha se mbi 1,500 armë u dorëzuan në ditën e parë.

Përveç ligjeve ekzistuese për përdorimin e armëve presidenti Vuçiq shpalli kontrollet policore të pronarëve të armëve të regjistruara.

Serbia ka një kulturë të rrënjosur thellë të mbajtjes së armëve, dhe së bashku me pjesën tjetër të Ballkanit Perëndimor është e mbushur me armë dhe municione të nivelit ushtarak në duart e qytetarëve privatë, pas luftërave të viteve të 90-ta që cuan në rrënimin e ish Jugosllavisë.

SHARE