Vlerat ushqimore të tij, e bëjnë brokolin një nga perimet e gjelbra më të shëndetshme në botë.
Bëhet fjalë për një perime miqësore me stomakun dhe shumë e pasur në vlera dhe shije.
Brokoli është fantastike në çdo mënyrë gatimi, supë, sallatë, pure etj.
AgroWeb.org ju sugjeron më poshtë një recetë të mrekullueshme plot shije, e cila përgatitet krejt lehtë dhe shpejtë.
Brokoli Të Pjekura Me Djathë dhe Beshamelë
Përbërësit
- 700 – 800 gr brokoli
- Kripë
- Piper
- Vaj ulliri
Për salcën e beshamelës
- 3 lugë gjelle miell gruri
- 2 lugë gjelle gjalpë të freskët
- 2 deri 3 gota qumësht
- 2 kokrra vezë
- 3 lugë gjelle djathë kaçkavall i grirë
- Kripë
Përgatitja
Shtojmë ujë dhe kripë në një tenxhere dhe e vendosim në zjarr që të ziejë.
Sapo uji të nisë të vlojë hedhim brokolit e ndara në degëza.
I lëmë të ziejnë për 10 minuta dhe më pas i heqim nga zjarri.
Kujdesemi t’i largojmë nga uji përmes një kullorëse dhe i shtrojmë në tavë. Sipër i spërkasim me vaj ulliri.
Përgatitja e Beshamelës
Në tigan skuqni gjalpin me miellin derisa të jetë zverdhur.
Shtoni qumështin dhe përziejeni fort dhe shpejt me një lugë druri derisa masa të jetë e njëtrajtshme.
Shtoni vezët e rrahura dhe vijoni ta përzieni.
Shtoni kripën sipas dëshirës si dhe djathin kaçkavall të grirë.
Masën e përgatitur të beshamelës e hedhim sipër brokolit dhe më pas i fusim në furrë të piqen derisa sipërfaqja të marrë ngjyrë të kuqërremtë.
Vlerat e Brokolit
Brokoli është i pasur edhe me fibër të tretshme që nxjerr kolesterolin e keq jashtë trupit.
Kjo perime shërben edhe si antioksidant duke qenë se ka nivele të larta e të përqendruara të vitaminës C dhe flavonoidëve që përmirësojnë funksionet e kësaj vitamine.
Brokoli është i pasur me mineralet alkalinë dhe si çdo perime tjetër e ndihmon organizmin të ulë nivelet e dëmshme të aciditetit dhe e pastron atë nga toksinat.
Procesi i detoksifikimit mbështetet nga substanca si glukorafanina, glukonasturtina dhe glukobrasicina, të cilat aktivizojnë, neutralizojnë dhe eliminojnë ndotësit e dëmshëm të organizmit.
Brokoli përmban nivele të larta të kalciumit dhe vitaminës K, të cilat janë të rëndësishme për shëndetin e kockave dhe parandalimin e osteporozës. Kjo perime e gjelbër bën mrekullira për zemrën./AgroWeb.org