Bashkimi Evropian (BE) ka bërë publike Deklaratën për të Zhdukurit, të cilën e kanë miratuar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në takimin që po mbahet në Bruksel.
Në deklaratën e miratuar nga palët bëhet e ditur se qëllimi i saj është t’i jepet fund vuajtjeve të familjarëve të të zhdukurve dhe nxitja e pajtimit dhe paqes së qëndrueshme midis palëve. Kosova dhe Serbia sipas nënshkrimit të kësaj deklarate janë zotuar për trajtim të njëjtë të të gjithë të zhdukurve gjatë luftës së fundit në Kosovë derisa puna do të mbikëqyret nga një Komision i Përbashkët që do të kryesohet nga BE-ja dhe do të mbikëqyret nga Kryqi i Kuq.
Gjithashtu, është kërkuar qasje e plotë në të gjithë dokumentet, incizimet dhe vende të tjera ku mund të ketë informacione për ta bërë sa më të lehtë gjetjen e të zhdukuruve nga periudha 1 janar 1998 deri më 31 dhjetor 2000.
“Të krijojnë dhe punojnë së bashku nëpërmjet një Komisioni të Përbashkët të kryesuar nga Bashkimi Evropian dhe të mbikëqyrur nga Kryqi i Kuq Ndërkombëtar (ICRC) me synim për të mbështetur përpjekjet për zgjidhjen e fatit të Personave të Zhdukur. Të monitorojë dhe mbështesë punën për progresin e bërë nga Grupi Punues për Personat e Zhdukur nëpërmjet Komisionit të Përbashkët. Në këtë kontekst, palët do të rishikojnë dhe përditësojnë Kushtet e Referencës dhe Kornizën e përgjithshme të Grupit Punues. Detajet operacionale do të bihen dakord në takimin e radhës të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve”, thuhet ndër të tjera në deklaratën të cilën Kurti dhe Vuçiq e nënshkruan.
Po ashtu, palët kanë rënë dakord nëpërmjet deklaratës që të vihen në dispozicion të gjitha dokumentet vendore dhe ndërkombëtarë me rëndësi për përcaktimin e fatit të Personave të Zhdukur, për të përdorur të dhënat satelitore, LIDAR dhe teknologji tjera në zbulimin e varreve masive.