Ministria e Administratës Publike në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe kompaninë MTEL festuan Ditën Ndërkombëtare të Vajzave në Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimit, e cila tradicionalisht festohet nga vendet anëtare të Unionit Ndërkombëtar të Telekomunikacionit dhe u ndanë çmime për fituesit e konkursit me temën “Vajzat do të fuqizojnë të ardhmen e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit”.
Ministri i Administratës Publike, Marash Dukaj tha se Dita Ndërkombëtare e Vajzave është një mundësi për të dërguar një mesazh jo vetëm për vajzat, por edhe për familjet e tyre, shkollat dhe gjithë komunitetin, se me njohuri, kreativitet dhe ndjeshmëri, ato mund të jenë një forcë e fortë në botën e teknologjisë.
„Shembulli më i mirë për këtë janë koleget tona femra në sektorin e TIK-ut, të cilat meritojnë respekt për përpjekjet dhe rezultatet e tyre,“ tha ministri Dukaj.
“Të dashura vajza, jini këmbëngulëse, të mençura dhe të forta. Jini të vetëdijshme për potencialin tuaj. IT është e tashmja dhe e ardhmja. Mësoni nga kjo fushë, sepse me njohuri ju ndriçoni botën e sekreteve, në të cilën ka ende shumë punë për të gjithë njerëzit. Ai që kërkon do të gjejë. E ardhmja është gati për ju, bëhuni edhe ju gati edhe për të”, tha Dukaj.
Ministri i Arsimit Miomir Vojinoviq tha se është krenar që është pjesë e festës së një date kaq të rëndësishme kushtuar vajzave në Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimit .
“Më lejoni t’u drejtoj fjalë inkurajuese vajzave, sepse pa to nuk ka të ardhme as në këto trende moderne të digjitalizimit”, tha Vojinoviq.