Gjatë prezantimit të raportit për Kosovën në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, shefja e UNMIK-ut, Caroline Ziade, bëri thirrje për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, duke shprehur përkrahje për kornizën e re të dialogut.
Ziade tha se gjatë vitit të fundit janë evidentuar sfida të ndryshme, “por edhe tentime për t’i afruar drejt normalizimit marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë”.
“Liderët duhet të marrin hapa të përgjegjshëm për t’i zvogëluar gjasat për ngecje në çështjet që kanë degraduar besimin publik gjatë muajve të fundit”, tha ajo, duke përmendur si shembuj tërheqjen e serbëve nga institucionet e Kosovës në veri dhe bojkotimit e zgjedhjeve të së dielës, 23 prill, nga serbët. Ajo tha se tensionet mes Kosovës dhe Serbi jo vetëm që i kishin larguar dy palët nga tentimet për normalizim të marrëdhëniet përmes dialogut, por edhe i kishin vënë “afër skajit për konfrontim fizik”.
Duke folur për zgjedhjet në veri, Ziade theksoi se ato ishin paqësore, por “në të njëjtën kohë, pyetja e përfaqësimit duhet të adresohet si pjesë e procesit politik më të gjerë”.
Tutje, Ziade shtoi se gjatë punës së saj, “sentimentet më të shpeshta me të cilat përballem janë frustrimi dhe shqetësimi për të ardhmen e pasigurt. Por, po aq e shoh edhe shpirtin dhe vullnetin për të punuar për ta krijuar një realitet më të mirë”.
Në seancën që po mbahet në Nju Jork dhe kryesohet nga Rusia, Kosova dhe Serbia përfaqësohen nga ministrat përkatës të Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla Schwartz dhe Ivica Daçiq.