Komisioni për Politikë të Jashtme i Parlamentit Evropian ka miratuar sot raportin për Kosovën dhe amendamentet e paraqitura nga deputetët për këtë raport.
Drafti i raportit është prezantuar nga Viola Von Cramon-Taubadel, që është raportuese për Kosovën në Parlamentin Evropian(PE), ndërsa në këtë raport janë paraqitur mbi 300 amendamente nga deputetë të ndryshëm.
Raporti për Kosovën është miratuar me 44 vota për, 8 kundër dhe 3 abstenime.
Raporti përmban pikat e përgjithshme ngjashëm me raportet e viteve të shkuara, por merr parasysh edhe zhvillimet që kanë ndodhur ndërkohë.
Me këtë raport mirëpritet aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, që reflekton orientimin pro-evropian të qytetarëve të saj dhe përcaktimin e qartë gjeopolitik.
Ndërkaq, përshëndetet edhe vendimi i shumëpritur për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, i cili proces është përmbyllur të martën më 25 prill kur vendimi edhe është botuar në Gazetën Zyrtare të BE-së, pasi më herët është nënshkruar nga Parlamenti dhe Këshilli i BE-së.