Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaron se vendimi për liberalizimin e vizave të shtetasve kosovar dhe pranimi i aplikimit për në Këshillin e Evropës konfirmojnë se Kosova është në rrugën evropiane dhe se i përket Evropës.
Gjatë fjalës hyrëse në mbledhjen e qeverisë, Kurti tha se qytetarët e Kosovës nga 1 janari 2024 do të mund të udhëtojnë në 32 vende të tjera përfshirë edhe Bullgarinë, Rumaninë dhe Qipron.
Duke folur për pranimin e aplikimit në KiE këtë të hënë, shefi i qeverisë kosovare shprehu besimin se “Kosova si shtet demokratik do të jap kontribut të çmuar në të ardhmen si anëtarë me të drejta të plota në KiE”.
“Këto dy vendime të rëndësishme brenda më pak se 1 jave konfirmojnë rrugën tonë evropiane, konfirmojnë që jemi në rrugën e duhur dhe konfirmojnë se Kosova i përket Evropës si union, si vlerë“, theksoi ai.
Në mbledhjen e sotme, Kurti njoftoi gjithashtu shqyrtimin në të ardhmen e afërt të projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes për statusin dhe funksionet e Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur.
Sipas tij, çështja e personave të zhdukur me forcë gjatë luftës në Kosovë është një çështje aktuale dhe permanente deri në zgjidhjen e plotë të saj.