Amareta Shtëpie

Nëse doni të provoni diçka të thjeshtë dhe të shpejtë, AgroWeb.org ju sugjeron recetën e këtyre amaretave.

Me pak përbërës dhe me aromë fantastike portokalli, këto ëmbëlsira do të kthehen në të preferuarat tuaja.

Mund t’i shoqëroni me kafe, kakao, çaj apo edhe për fëmijët më qumësht në mëngjes.

Janë vërtetë të thjeshta dhe piqen për vetëm 15 minuta.

PËRBËRËSIT

Përgatiten rreth 40 amareta

  • 400 gr miell
  • 100 gr sheqer pluhur
  • 300 gr gjalpë me temperaturë ambienti
  • 1 pako vanilje
  • 2 të verdha vezësh
  • 100g lajthi ose arra
  • lëkurën e 1 portokalli

PËRGATITJA

Për të përgatitur amaretat e shijshme AgroWeb.org ju sugjeron që të filloni duke rrahur në mikser gjalpin me sheqerin dhe vaniljen.

Sapo të shihni që kokrrizat e sheqerit kanë filluar të shkrihen, shtoni vezët gjithmonë duke i punuar në mikser.

Kremi duhet të ketë një ngjyrë të verdhë shumë të hapur gati në të bardhë dhe sheqeri duhet të jetë tretur plotësisht.

Më pas vazhdoni me lëkurën e portokallit dhe miellin duke e situr.

Përziejeni ngadalë me mikser dhe sigurohuni që nëse masa ju ka mbetur në anët e tasit ta bashkoni në mes.

Brumi do të jetë porsi ai i biskotave në lidhje me butësinë dhe elasticitetin.

Nisni ta ndani brumin në toptha me madhësinë e një arre dhe vendosini në një tavë të shtruar me letër pjekjeje.

Në mes të tyre vendosni një lajthi apo arrë sipas preferencës dhe piqini në furrë të ngrohur në 180 gradë.

Këto amareta janë gati për 10-15 minuta, ndaj tregoni kujdes pasi mund të digjen fare lehtë.

PAsi të jenë pjekur lërini të ftohen në një pjatë dhe shijojini me të dashurit tuaj./AgroWeb.org

SHARE