ABAZOVIQ: MALI I ZI IA DOLI SHUMË MIRË GJATË KRIZËS ENERGJETIKE

Kryeministri i Malit të Zi në mandatin teknik, Dritan Abazoviq, ka mbajtur sot një ligjëratë për studentët e Kolegjit të Evropës nga programi i studimeve evropiane, të cilët ndodhen në një vizitë studimore në Mal të Zi, me fokus politikën e zgjerimit të BE-së.

“Mali i Zi është kandidati më i mirë për të qenë anëtari i parë i ardhshëm i BE-së dhe për t’i dhënë shtysë ringjalljes së politikës së zgjerimit”, theksoi Abazoviq, duke shtuar se ekziston një konsensus midis të gjitha partive politike për anëtarësimin e Malit të Zi në BE dhe një eurooptimizëm i fortë me bindjen se “kjo është një nga temat më të rëndësishme për të ardhmen tonë”.

Në një diskutim me studentë nga një numër vendesh evropiane, Abazoviq theksoi se “Mali i Zi e menaxhoi shumë mirë krizën energjetike dhe se ne e përfunduam vitin e kaluar më shumë se çdo skenar më optimist dhe se EEMZ nuk i rriti çmimet e energjisë elektrike, që është më e rëndësishmja gjë për qytetarët dhe ekonominë”.

“Përveç turizmit, edhe energjia po përjeton rritje të fortë. Synimi është që në një të ardhme të afërt të eksportojmë edhe më shumë energji elektrike”, theksoi kryeministri.

Gjatë diskutimit, siç thuhet në njoftim, u bisedua për rolin e pakicave kombëtare në ndërtimin e një Mali të Zi ndërkulturor, civil dhe evropian, për të ardhmen evropiane të Ballkanit Perëndimor dhe rëndësinë e pajtimit rajonal në atë proces, pozitën e organizatave fetare dhe barazinë e të drejtave të tyre, si dhe zgjedhjet e ardhshme parlamentare në vend.

SHARE