Testimi i matematikës për nxënësit e klasave të nënta fillore, i cili ishte paraparë të mbahej më 20 prill, do të organizohet më 26 maj, njoftoi Qendra e Provimeve.
Testimi ekstern i matematikës për gjysëm-maturantët nuk u mbajt më 20 prill, pasi testet arritën te nxënësit para se të jepeshin.
Qendra e Provimeve njoftoi sot se gjatë fundjavës kanë përfunduar të gjitha përgatitjet lidhur me ritestimin në matematikë.
“Duke qenë se shkollat organizojnë ekskursione për nxënësit deri më 19 maj, koha e parë dhe e vetme e lirë për testim është data 26 maj”, thuhet në njoftim.
Thuhet se Qendra e Provimeve, lidhur me testimin e shtyrë që ishte paraparë të zhvillohej më 20 prill, materialin testues e ka dorëzuar në 160 shkolla fillore përmes distributorit, nga ora 8 deri në 10 të ditës së testimit.
“Asnjë nga shkollat nuk ka pasur kundërshtime për materialin testues të shkarkuar. Gjithçka tjetër është objekt hetimi policor”, thonë nga Qendra e Provimeve.