Bashkimi Evropian tha se zgjedhjet e parakohshme lokale, të mbajtura më 23 prill në katër komunat në veri të Kosovës, “nuk ofrojnë zgjidhje afatgjate politike” për këto komuna të banuara me shumicë serbe.
“Kjo mund të ndodhë vetëm përmes kthimit të përhershëm të serbëve të Kosovës në institucione, dhe që Kosova të mundësojë kthimin e tyre. Puna në themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe duhet të finalizohet sa më shpejt që të jetë e mundur”.
BE tha se zgjedhjet lokale – që u mbajtën për shkak të dorëheqjeve të kryetarëve nga Lista Serbe nëntorin e kaluar – u zhvilluan “në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës dhe që të gjitha përpjekjet u bënë që ato të zhvilloheshin në një mënyrë të rregullt”.
Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), ka thënë se të drejtat e dhe interesat e të gjitha komuniteteve që jetojnë në katër komunat në veri të Kosovës, duhet të merren parasysh pas zgjedhjeve në atë zonë.
“Do të ishte e preferueshme që të gjitha komunitetet të merrnin pjesë plotësisht, si kandidatët, ashtu edhe votuesit”, tha shefi për çështje politike dhe për komunikim në misionin e OSBE-së në Kosovë Jeff Bieley. Megjithatë, sipas tij, ishte pozitive që, “pavarësisht dallimeve politike për mbajtjen e zgjedhjeve, nuk u bë asnjë përpjekje për të prishur procesin në ditën e zgjedhjeve”.