PAS PENSIONEVE, GODITJA TJETËR NGA MACRON: RRITJE E RE ÇMIMESH DERI NË VJESHTË

Si të mos mjaftonte pakënaqësia masive që shkaktoi me reformën e tij të shumëkontestuar të pensioneve, shefi i Elizesë Emmanuel Macron i paralajmëroi francezët të përgatiten për një ashpërsim të inflacionit dhe një rritje të re të çmimeve deri në vjeshtë.

Komentet e tij, Macron i bëri në një intervistë dhënë gazetës “Le Parisien” në një kohë kur qeveria e tij po përpiqet të tregojë se do të godasë margjinat e larta të fitimit të kompanive të mëdha ushqimore.

“Dua të tregohem i sinqertë, çmimet e ushqimeve do të jenë më të larta deri në fund të verës. Ndërkohë, negociatat me kompanitë e mëdha ushqimore mund të rifillojnë në momente të caktuara”, u shpreh Macron.

Më herët, ministri i financave Bruno Le Maire është shprehur se po tentohen bisedime me kompanitë e mëdha që të ulin kostot e përcjella konsumatorëve, në të kundërt mund të përballen me masa më të rrepta nga ana e ekzekutivit.

Kriza më e keqe e kostos së jetesës në një brez e ka shtuar ndjeshëm trysninë ndaj Macronit të përballur tashmë më protesta masive për vendimin e tij të rritjes me dy vjet të moshës së daljes në pension.

Bloomberg merr si shembull ilustrues çmimin e gatimit të një pjate tradicionale coq-au-vin që është rritur 15.4% krahasuar me një vit më parë, mbi inflacionin e përgjithshëm.

Një sondazh i fundit i kryer nga Instituti Ifop Institute për Journal du Dimanche tregoi se tre francezë në katër janë thellësisht të pakënaqur me presidentin e tyre.

SHARE