VERA 2022, MË E NXEHTA NË HISTORI: “SHKRIJNË” AKULLNAJAT NË ALPE

Vera e vitit 2022 ka qenë më e nxehta në historinë e Europës, që prej fillimit të matjeve.

Shërbimi i BE-së për ndryshimin e klimës, Copernicus, thotë se gjatë periudhës në fjalë, në kontinentin e vjetër u thyen disa rekorde njëherazi, përfshirë dhe atë të shkrirjes së akullnajave në Alpe, që mbërriti nivele të paprekura më parë. Llogaritet që këto akullnaja të kenë humbur më shumë se pesë kilometra kub akull. Temperaturat në Europë, sipas Copernicus, po rriten rreth dy herë më shumë se mesatarja globale.

“Klima që na pret, do të jetë shumë më ndryshe se klima, në të cilën jemi rritur”, deklaroi kreu i tij, Carlo Buontempo.

Copernicus thotë se vera e 2022-shit u karakterizua nga një thatësirë e madhe, që preku më shumë se një të tretën e Europës, duke ndikuar direkt tek bujqësia, transporti dhe furnizimi me energji. Pjesërisht këtu luaji rol edhe fakti që në dimrin e kaluar ra më pak borë se zakonisht dhe valët e të nxehtit të madh në verë e rënduan situatën.

Në jugun e kontinetit sakaq u rrit ndjeshëm numri i ditëve, që konsiderohen ditë me stres ekstrem nxehtësie, cka nënkupton temperature ndërmjet 38 dhe 46 gradëve Celsius, që konsiderohen të rrezikshme për shëndetin. Edhe rrezatimi i diellit në Europë ishte më intensive se kurrë ndonjëherë.

SHARE