STOLTENBERG NGA KIEVI: UKRAINA E MERITON TË JETË PJESË E NATO-s

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s ka thënë se Ukraina e meriton të jetë pjesë e aleancës më të fuqishme ushtarake në botë.

Duke folur së bashku me presidentin Volodymyr Zelensky në Kiev, Stoltenberg pohoi, “më lejoni të jem i qartë se Ukraina e meriton të jetë në familjen euroatlantike”.

“Vendi i merituar i Ukrainës është në NATO. Dhe me kalimin e kohës, mbështetja jonë do t’ju ndihmojë ta bëni këtë të mundur”, pohoi ai.

Shefi i aleancës euro-atlantike premtoi mbështetje të vazhdueshme ushtarake për Ukrainën, duke thënë se deri më tani aleatët e NATO-s kanë stërvitur dhjetëra mijëra trupa ukrainase dhe kanë ofruar 65 miliardë euro ndihmë ushtarake, raporton skynews.

“NATO qëndron me ju sot, nesër dhe për aq kohë sa duhet”, tha norvegjezi përpara se të ftonte liderin ukrainas në samitin e NATO-s, i cili do të mbahet në muajin korrik në Vilnius, Lituani.

“Ne nuk e dimë se kur do të përfundojë kjo luftë, por ne e dimë se agresioni rus është një model toksik që duhet të ndalet. Kështu që ne duhet të vazhdojmë t’i armatosim forcat ushtarake të Ukrainës”, pohoi ai.

Ndryshe, Sekretari i Përgjithshëm vizitoi Buchan dhe kreu homazhe për viktimat e mizorive ruse.

Ai vendosi gjithashtu një kurorë me lule në Murin e Kujtimit të të rënëve për Ukrainën, duke nderuar të gjithë ata që kanë humbur jetë ose kanë pësuar plagë në mbrojtje të atdheut të tyre.

Kjo ishte vizita e parë në kryeqytetin ukrainas që kur Moska filloi pushtimin në muajin shkurt të vitit 2022. Edhe pse Ukraina nuk është anëtare e aleancës, blloku ka luajtur një rol kritik në mbështetjen e Kievit, dhurimin e ndihmës ushtarake dhe pritjen e refugjatëve gjatë gjithë konfliktit.

SHARE