DAMJANOVIQ: 200 MILIONË EURO MË SHUMË NË THESAR, BORXHI DUHET TË JETË SA GJYSMA E LEJUAR

Ministri i Financave Aleksandar Damjanoviq tha se nuk janë të sakta vlerësimet se arka e shtetit do të boshatiset në qershor dhe se nuk vihet në pikëpyetje pagesa e rregullt e pagave dhe pensioneve.

Damjanoviq thotë se perspektiva ekonomike e Malit të Zi është e mirë.

“Vlerësimi i rritjes së ekonomisë malazeze është përmirësuar nga 2.5 në 3.2 për qind nga FMN. Të dhënat më të fundit i kam për periudhën e janarit. Krahasuar me vitin e kaluar të ardhurat janë 704 milionë euro, realizimi i buxhetit, ndërsa në vitin e fundit kur ishte ministër dikush tjetër, të hyrat ishin 503 milionë. Pra, 200 milionë më shumë ose 40 për qind në të njëjtën periudhë krahasuar me vitin e kaluar”, tha Damjanoviq.

Ai gjithashtu theksoi se janë 250 milionë në arkën e shtetit, të cilat janë në dispozicion në çdo kohë.

“Mali i Zi i paguan pa pengesa të gjitha detyrimet e tij, duke përfshirë rritjen e pagave në sektorin D me më shumë se 20 për qind,” tha ai.

Ministri i Financave thotë se pagesa e rregullt e pensioneve dhe pagave nuk vihet në pikëpyetje.

“Falë këtyre shifrave dhe përpjekjeve tona për të siguruar deri në fund të vitit financim real të buxhetit, i cili bazohet në rritjen ekonomike me mundësi akumulimi shtesë, do të shlyejmë të gjitha detyrimet e planifikuara. Ju rikujtoj se Parlamenti, me vendimin për borxhin, i ka mundësuar Malit të Zi marrjen e 600 milionë eurove hua. Nga ato 600 milionë për vitin 2023 që lejoi Parlamenti, ne kemi marrë vetëm një të gjashtën në katër muaj. Ne do të përpiqemi ta përgjysmojmë kufirin e borxhit. Do të varet nga sezoni turistik dhe faktorë të tjerë”, tha ai.

SHARE