Shtetet e Bashkuara të Amerikës presin nga Kosova dhe nga Serbia që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura gjatë negociatave të mëparshme, përfshirë formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Një muaj më parë, në Maqedoninë e Veriut, përfaqësuesit e Kosovës dhe të Serbisë arritën, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe me mbështetjen e SHBA-së, një marrëveshje për zbatimin e propozimit evropian për normalizimin e marrëdhënieve.
DASH i është përgjigjur një pyetje të VOA-s, lidhur me zbatimin e asaj për të cilën palët ranë dakord në Ohër.
“SHBA-ja dhe BE-ja presin nga të dyja palët që t’i përmbushin obligimet e tyre dhe të zbatojnë marrëveshjet e mëparshme nga dialogu, përfshirë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, siç kanë konfirmuar se do të bëjnë dy udhëheqësit në takimin e 18 marsit në Ohër. Ne jemi të përqendruar mbi zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, në mënyrë që t’u ndihmojmë atyre të zhvillojnë marrëdhënie më paqësore dhe më të parashikueshme si fqinj, gjë që do të mundësonte stabilitet, siguri dhe prosperitet më të madh në rajon”, ka thënë DASH.