KTHEHET GREVA, BLLOKOHEN TRE AEROPORTET KRYESORE TË GJERMANISË: PREK MIJËRA PASAGJERË

Rikthehen në Gjermani grevat, të cilat pritet të paralizojnë këtë radhë tre aeroportet kryesore të vendit: atë të Dyseldorfit, Këlnit dhe Hamburgut.

Sindikata më e madhe gjermane, ajo Verdi u bëri thirrje punëtorëve të zonave të sigurisë së këtyre aeroporteve të nisin bllokimin në 20 dhe 21 prill.

“Greva fillon natën e së enjtes dhe përfundon natën nga e premtja në të shtunë”, thuhet në deklaratën e saj.

“Sektorët që do të preken përfshijnë zonën e kontrolleve të sigurisë së aviacionit, kontrollin e pasagjerëve, kontrollin dhe shërbimin e personelit dhe mallrave. Në aeroporte priten kohë më të gjata pritjeje apo edhe anulime fluturimesh për shkak të grevës”, paralajmëruan krerët sindikalistë.

Zëdhënësi i aeroportit të Hamburgut tha se të enjten dhe të premten të gjitha nisjet do të anulohen ose do të kryhen pa pasagjerë.

Ai shtoi se nga greva mund të preken rreth 80,000 pasagjerë që. Po ashtu as mbërritjet nuk do të jenë të mundshme. Të premten, greva pritet të shtrihet edhe tek hekurudhat gjermane dhe kompani të tjera hekurudhore.

Nuk dihet ende një datë e saktë, por sipas raportimeve të mediave është folur për një grevë këtë të premte.

Gjermania u godit në fund të marsit nga grevat më të mëdha prej dekadash të tëra. Fluturimet u pezulluan në aeroportet kryesore, ndërsa Deutsche Bahn anuloi të gjithë trenat në distanca të gjata.

SHARE