AXHIQ: SITUATA NË SEKTORIN E SIGURISË ËSHTË DUKSHËM MË E MIRË

Situata në sektorin e sigurisë në Mal të Zi është dukshëm më e mirë se një apo dy vjet më parë, tha ministri i Brendshëm Filip Axhiq, duke shtuar se të gjitha grupet e organizuara kriminale janë shkatërruar.

Ai këtë e tha në pjesën hyrëse të seancës së Komisionit për Siguri dhe Mbrojtje, ku u mbajt seanca kontrolluese e përfaqësuesve të Qeverisë, prokurorisë, policisë dhe Agjencisë Kombëtare të Sigurisë lidhur me ngjarjet në sektorin e sigurisë.

Ministri Axhiq ka thënë se i vjen mirë që kjo temë ka qenë në qendër të interesit muajt e fundit. Sipas tij, kjo tregon se qytetarët e kanë kuptuar se pa luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar nuk mund të arrihet qëllimi kyç, që është standardi më i mirë i jetesës dhe hyrja e Malit të Zi në Bashkimin Evropian.

“Situata në sektorin e sigurisë është dukshëm më e mirë se sa ishte një vit, dy ose më shumë më parë,” tha ai.

Axhiq shtoi se po mundohen të krijojnë një imazh se siguria e qytetarëve ishte në një nivel më të lartë kur nuk dihej asgjë për strukturat kriminale që ishin përfshirë brenda institucioneve.

“Mesazhi kryesor është se në Malin e Zi sot kemi 200 më pak anëtarë të strukturave të krimit të organizuar në liri se sa ishte një vit, dy apo tre vjet më parë,” tha Axhiq.

SHARE