Në datat 12-15 prill, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, mori pjesë në Mbledhjet e Pranverës të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe të Grupit të Bankës Botërore (BB), në Uashington.
Gjatë takimeve me përfaqësuesit e FMN-së dhe BB-së, Guvernatori Sejko i njohu të pranishmit me zhvillimet më të fundit në ekonominë shqiptare. Ai u shpreh se ekonomia jonë i rezistoi mirë goditjeve të njëpasnjëshme nga tërmeti, pandemia dhe pasojat ekonomike të luftës në Ukrainë, të cilat nisën gjatë vitit 2022 dhe vijojnë të jenë ende të pranishme.
“Banka e Shqipërisë ka garantuar stabilitetin monetar dhe financiar të vendit, duke rritur normën bazë të interesit në përputhje me objektivin e saj kryesor për të luftuar inflacionin. Këto vendime për të rritur normën, kanë qenë të udhëhequra nga analiza dhe parashikime të kujdesshme, të bazuara në informacionet më të fundit, si dhe të orientuara nga ruajtja e balancave të duhura midis rreziqeve për ekonominë e vendit”, tha Sejko.
Lidhur me tregjet financiare, Guvernatori Sejko u shpreh se ato mbeten të qeta, edhe në prani të shtrëngimit global të kushteve të financimit. Sektori bankar paraqitet likuid, i mirëkapitalizuar dhe fitimprurës.
Përfaqësuesit e lartë të FMN-së dhe BB-së e vlerësuan pozitivisht rolin dhe politikën e ndjekur nga Banka e Shqipërisë, në zhvillimin makroekonomik dhe stabilitetin financiar të vendit.
Ata pranuan se Shqipëria i ka kaluar mjaft mirë krizat e njëpasnjëshme, madje edhe më mirë nga sa ishte parashikuar dhe për këtë Banka e Shqipërisë ka luajtur një rol vendimtar.
Më tej, ata inkurajuan Bankën e Shqipërisë të vijojë monitorimin e vazhdueshëm të situatës, si dhe koordinimin e politikave nga autoritetet shqiptare, duke marrë masat e nevojshme në kohën e duhur.