100 CIVILË TË VDEKUR NGA LUFTIMET NË SUDAN

Të shtënat e armëve gjëmuan mëngjesin e sotëm në kryeqytetin e Sudanit, Khartum.

Edhe pse të dielën, të dyja palët në konflikt-krerët e ushtrisë së vendit dhe grupi rival paraushtarak RSF respektuan pushim zjarrin e përkohshëm të arritur për të lejuar evakuimin e të plagosurve, me përfundimin e tij, dhuna shpërtheu sërish në të mbarë vendin. Sipas sindikatës së mjekëve sudanezë, deri tani, nga luftimet tre ditore, kanë humbur jetën të paktën 100 civilë.

Blloku rajonal afrikan planifikon të dërgojë në Sudan presidentët e Kenias, Sudanit të Jugut dhe Xhibutit në një përpjekje për të vendosur paqe mes ushtrisë dhe forcave paramilitare në Sudan, ndërsa tensionet sa vijnë e përshkallëzohen. Sipas disa dëshmitarëve, në përleshjet e së dielës ushtria e Sudanit duket se rimori situatën nën kontroll.

Luftime të ashpra shpërthyen të shtunën mes forcave të armatosura të udhëheqra nga Gjenerali Abdel Fattah al-Burhan dhe Forcës së Mbështetjes së Shpejtë, RFS, të udhëhequr nga gjenerali Mohamed Hamdan Dagalo, i njohur edhe si Hemedti. Konflikti nisi për shkak se palët nuk po bien dakord mbi mënyrën se si do të përfshihen në ushtri forcat paramilitare ndërsa synohet krijimi i një qeverie kalimtare. Që prej puçit ushtarak të vitit 2021, Sudanin e kanë udhëhequr gjeneralët ushtarakë.

SHARE