DELEGACIONI I MALIT TË ZI VIZITË ZYRTARE NË KOSOVË

Delegacioni i Malit të Zi i kryesuar nga kryeministri Dritan Abazoviq po zhvillon vizitë zyrtare në Republikën e Kosovës.

Kryeministri Abazoviq ka filluar vizitën e tij dje ku ka vizituar tri bashkësitë fetare: Katedralen e Nënë Terezës, Xhaminë e Çarshisë, më e vjetra në Kosovë dhe ndër më të vjetrat në Ballkan si dhe para Pashkëve do të vizitojnë edhe Patriarkanën e Pejës dhe në këtë mënyrë do të dërgojnë një mesazh për nevojën e bashkimit gjatë festave të mëdha të të tre konfesioneve.

Abazoviq nderohet me “Çelësin e Prishtinës”: Ndihem si në shtëpi

Kryeministri i Malit të Zi Dritan Abazoviq është takuar së pari me kryetarin i Prishtinës, Përparim Rama.

Me këtë rast kryetari Rama e nderoi me “Çelësin e Prishtinës” kryeministrin e Malit të Zi.

Abazoviq tha se me këtë nderim po ndihet si në shtëpinë e tij. “Gëzohem personalisht që në një mënyrë simbolike bëhem qytetar i Prishtinës. Me të vërtetë e ndiej veten si në shtëpinë time dhe jam më se i bindur se me kryetarin dhe të tjerët do të punojmë si gjithë rajoni ta ndiejnë veten çdo kush vetën si në shtëpinë e tyre”, tha ai.

Abazoviq dhe Kurti nënshkruan një marrëveshje dypalëshe për trafikun ajror: Fluturimet shkurtohen me 15 minuta

Kryeministri i Malit të Zi Dritan Abazoviq dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti nënshkruan sot në Prishtinë një marrëveshje dypalëshe pë shërbime ajrore, që mundëson shkurtimin e kohës së udhëtimeve dhe synon të ulë çmimet e biletave për udhëtarët. 

Pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, Abazoviq tha në një konferencë për media, se kjo marrëveshje është në kuadër të disa projekteve të dy qeverive, që synojnë të përmirësojnë atmosferën rajonale të bashkëpunimit.

“Ideja jonë ishte që të krijonim një qasje më të lehtë për qytetarët e të dyja vendeve. Nëse krijojmë një mobilitet, një qasje më të lehtë edhe shkëmbimi i mallrave, njerëzve edhe bizneseve do të jetë shumë më intensiv dhe kjo do të krijojë një atmosferë shumë më të mirë rajonale”, tha Abazoviq, duke shtuar se në takim me Kurtin kanë biseduar edhe për projekte të tjera infrastrukturore, që do të përmirësonin lidhjen mes dy shteteve.

“Marrëveshja që nënshkruam sot ofron mundësi të reja të zhvillimit të aviacionit civil, mundëson shkurtimin e rrugëve ajrore e të kohës së fluturimit për 15 minuta,“ tha Abazoviq.

Abazoviq: Zgjedhjet në Mal të Zi nuk do të ndryshojnë qëndrimin ndaj Kosovës

Kryeministri Abazoviq tha sot në Prishtinë se Mali i Zi dhe Kosova kanë marrëdhënie të shkëlqyera dhe se zgjedhjet në Mal të Zi nuk do të ndryshojnë marrëdhëniet e Podgoricës me Kosovën.

Ai tha se Mali i Zi dhe Kosova janë shembull se si funksionojnë dy vendet fqinje.

“Jemi në rrugë të mbarë për të bërë disa projekte që unë do t’i quaja historike. Ideja jonë është të krijojmë qasje më të lehtë për dy popujt e vendeve tona. Ne po vijmë me një mesazh paqësor, miqësor dhe në të ardhmen do të kemi një atmosferë Në të cilën do të japim shembull. Në proceset politike të Malit të Zi kanë ndodhur disa ngjarje, por kjo nuk do të ndryshojë qasjen ndaj Kosovës. Ne jemi të gatshëm me kapacitetet tona ta mbështesim Kosovën”, theksoi Abazoviq.

Ai shtoi se të ardhmen e tyre e shohin në Bashkimin Evropian, se Kosova dhe Mali i Zi kanë treguar se “kanë qenë shumë të suksesshëm me drejtësinë e tyre kundër korrupsionit”.

Në Kosovë promovohet libri „Kritika e etikës globale“ e z. Abazoviq

Pas promovimit të librit “Kritika e etikës globale”, para profesorëve dhe studentëve, sipërmarrësve dhe njerëzve të jetës publike të shumtë, kryeministri Dr. Dritan Abazoviq është vlerësuar me doktor nderi nga Kolegji Ndërkombëtar Univerzum.

Ndërkaq nga ana e qeverisë malazeze, të pranishëm ishin z. Bernard Çobaj, i ngarkuar me punë në Ambasadën e Malit të Zi në Republikën e Kosovës, z. Goran Gjuroviq, ministër i Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit në Qeverinë e Malit të Zi, z. Marash Dukaj, ministër i Administratës Publike në Qeverinë e Malit ë Zi, z. Fatmir Gjeka, ministër i të Drejtave të Njeriut dhe të Pakicave të Malit të Zi, z. Nik Gjeloshaj, Kryetar i Komunës së Tuzit, z. Omer Bajraktari, Kryetar i Komunës se Ulqinit, znj. Ana Rashoviq, Shefe e kabinetit të Kryeministrit të Malit të Zi.

SHARE