Ministri i Punëve të Jashtme, Bashkimit Evropian dhe Bashkëpunimit të Mbretërisë së Spanjës, Jose Manuel Albares Bueno, ka realizuar një vizitë në Shqipëri, ndërkohë është takuar me zyrtarë të lartë të vendit.
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Olta Xhaçka, ka pritur në takim homologun spanjoll, ndërkohë nënshkruan edhe një memorandum mirëkuptimi për forcim të bashkëpunimit mes dy vendeve në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.
Xhaçka: Në fokus të diskutimeve ishte edhe dimensioni mesdhetar i politikave tona të jashtme
Në deklaratën e tyre të përbashkët në ambientet e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Xhaçka dhe Bueno u fokusuan në çështjet e bashkëpunimit mes dy vendeve dhe procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian (BE).
Ministrja Xhaçka theksoi se ndajnë të njëjtin mendim me homologun e saj, që “zgjerimi nuk është thjesht dhe nuk duhet të jetë thjesht një instrument i BE-së, por është vetë esenca e Unionit, ndaj dhe çdo vend i Evropës duhet të aspirojë për t’u bërë pjesë e tij”.
“Mbështetja e Spanjës për anëtarësimin e Shqipërisë në BE do të jetë shumë aktive”
Kryediplomati spanjoll deklaroi se gjatë presidencës spanjolle të Bashkimit Evropian mbështetja e Spanjës për anëtarësimin e Shqipërisë në BE do të jetë shumë aktive.
“Marrëdhënia e Shqipërisë me Ballkanin dhe me Bashkimin Evropian janë tema që kemi folur me ministren. Gjithashtu folëm për marrëdhënien e Kosovës me Serbinë. Vizita ime shpreh interesin e Spanjës për Shqipërinë. Kjo marrëdhënie është përtej lidhjeve ekonomike. Jemi solidarë gjatë krizave”, tha Bueno.
Kryediplomati spanjoll është takuar edhe me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama dhe me zyrtarë të tjerë të vendit.