KOSOVË, MARSH NË MBËSHTETJE TË TË MBIJETUARVE TË DHUNËS SEKSUALE GJATË LUFTËS

Me rastin e zyrtarizmit të 14 Prillit – Dita e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) dhe Zyra e Presidentes organizuan marsh në mbështetje të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Feride Rushiti, drejtoreshë e QKRMT-së tha se 14 prilli shënohet me moton “Të rinjtë mbështesin viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës”.

“Një kujtesë e tillë kolektive përveç që i nderon dhe ua lehtëson vuajtjet shpirtërore të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës, pa dallim etnie, religjioni apo statusi shoqëror, pa dyshim, që më së shumti do t’i shërbejë gjeneratave të reja, atyre që i kanë në dorë fatet e kësaj shoqërie, atyre që mund të ndikojnë dhe kontribuojnë pozitivisht në integrimin e plotë në shoqërisë të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës”, theksoi Rushiti.

E mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës, Vasfije Krasniqi-Goodman, e cila me rrëfimin e saj publik u bë zëri i të gjithë të mbijetuarve të dhunës seksuale, tha se për shumëkënd 14 prilli është vetëm një datë, ndërsa për të është dita më e keqe e jetës.

“Unë këtë ditë dua ta shndërroj në forcë, në guxim, në kurajo, t’u jap forcë viktimave që zëri ynë të dëgjohet tërë botën se çfarë ka bërë Serbia në Kosovë gjatë luftës 1998-99”, tha Krasniqi-Goodman.

Ministrja Haxhiu premtoi mbështetje institucionale për viktimat dhe tha se për t’i dhënë fund dhunës seksuale në të gjitha format e saj nevojitet angazhim i përbashkët.

Në Ditën Memoriale të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, të shpallur këtë vit nga Qeveria, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, nderoi viktimat dhe të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë dhe vendosi lule para memorialit.

SHARE