PRESIDENTI I SHQIPËRISË APELON PËR ZGJEDHJE TË LIRA DHE PA KEQPËRDORIME

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, bëri thirrje për një fushatë zgjedhore të qetë dhe larg fenomeneve negative që u vërejtën në zgjedhjet e kaluara, pas një takimi me përfaqësues të institucioneve dhe organizata që do të organizojnë dhe monitorojnë procesin zgjedhor.

Ky takim – ku ishin të pranishëm edhe përfaqësues të ambasadës së SHBA-së, zyrës së BE-së dhe kryesuesja e misionit të OSBE/ODIHR, Audrey Glover – u zhvillua një ditë para hapjes së fushatës për zgjedhjet lokale që do të zhvillohen në Shqipëri më 14 maj.

“Partitë politike duhet të paraqesin vetëm ofertë. Përvojat e mëparshme na kanë përballur jo rrallë herë me fenomene negative dhe me forma të paligjshme si pjesë e fushatës zgjedhore dhe institucionet jo gjithmonë kanë reaguar me sukses”, tha Begaj.

Ai shtoi se “fenomenet e shit-blerjes së votës, keqpërdorimit të burimeve financiare, financimet jo transparente dhe prishja e procesit zgjedhor janë të patolerueshme”.

“Policia duhet të reagojë përballë çdo fenomeni që mund të cenojë procesin zgjedhor. Monitoruesit dhe komisionarët duhet të punojnë paanshmëri”, tha tutje ai.

Presidenti Begaj kërkoi nga përfaqësuesit e partive politike që të mos përdorin gjuhë denigruese ndaj njëri-tjetrit gjatë fushatës zgjedhore dhe të paraqesin ide dhe programe që përmirësojnë realisht jetën e qytetarëve.

Kreu i shtetit shqiptar bëri një thirrje edhe për qytetarët me të drejtë vote, duke iu kërkuar atyre të shprehin vullnetin e tyre të lirë dhe të denoncojnë çdo rast shantazhimi apo intimidimi.

SHARE