MILLATOVIQ: BE-ja TË TREGOJË SE PROCESI I ZGJERIMIT ËSHTË I GJALLË

Bashkimi Evropian (BE) duhet të tregojë se procesi i zgjerimit është i gjallë, tha presidenti i sapozgjedhur i Malit të Zi, Jakov Millatoviq.

Millatoviq, në konferencën “Mali i Zi pas zgjedhjeve presidenciale”, organizuar nga Qendra e Beogradit për Politikë të Sigurisë dhe Instituti Alternativ, tha se shoqëria malazeze shpesh karakterizohet si shoqëri e institucioneve të robëruara.

Ai tha se si president sfida e tij e parë do të jenë institucionet e robëruara që u bashkuan me partinë në pushtet.

“Gjenerata e re e politikanëve ka përgjegjësi të madhe për t’i ngritur institucionet në këmbë me përgjegjësi dhe gjithëpërfshirje, maturimi institucional është hapi i dytë i nevojshëm”, tha Millatoviq.

Sipas tij, kjo do të bëhet pas zgjedhjeve parlamentare, kur vendi të ketë një qeveri më të qëndrueshme.

Ai tha se sfidë tjetër është fusha e sundimit të ligjit si dhe vazhdimi i reformave ekonomike me qëllim të përmirësimit të standardeve të qytetarëve.

Millatoviq tha se duhet të ketë një vullnet të fortë politik që një vend të ecë përpara.

Sipas tij, nëse Mali i Zi përshpejton reformat, BE-ja do të hyjë me dorën e shtrirë drejt Malit të Zi si shtet anëtar.

Kryeministri Dritan Abazoviq tha se me zgjedhjen e Millatoviqit si president, Mali i Zi përfundoi një epokë dhe hyri në një epokë të re zhvillimi.

Abazoviq beson se pas zgjedhjeve të ardhshme parlamentare fokusi i të gjitha subjekteve politike duhet të jetë arritja e qëllimit që Mali i Zi të bëhet anëtar i BE-së.

Abazoviq tha se Mali i Zi ka bërë gjëra historike në periudhën e kaluar.

Ai gjithashtu vlerësoi se BE-ja duhet të tregojë vullnet politik për të ringjallur procesin e zgjerimit.

SHARE