Data 14 prill është caktuar me propozim të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani si Ditë e të Mbijetuarve të Dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Siç njofton Zyra e Presidentes, vendimi për caktimin e kësaj dite u mor në mbledhjen e 138-të të Qeverisë së Kosovës. Presidentja Osmani ka theksuar se ky vendim do t’i kontribuojë ruajtjes së memories kolektive ndërsa ka përmendur nevojën e solidarizimit me të mbijetuarit e dhunës seksuale.
“Rikujtojmë se gjatë luftës së fundit në Kosovë, rreth 20 mijë persona kanë qenë viktima të dhunes seksuale. Jetët e të gjithë këtyre personave ndryshuan përgjithmonë. Pikërisht më 14 prill ndryshoi gjithmonë edhe jeta e Vasfije Krasniqit, e cila u rrëmbye me forcë dhe u dhunua nga forcat serbe. Ajo mori guximin që ta ndajë të vërtetën me tërë botën. Përmes rrëfimit të saj, ajo u shndërrua në zërin e të gjithë të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë”, tha presidentja Osmani në propozimin drejtuar Qeverisës së Republikës së Kosovës.
Qeveria e Kosovës në muajin shkurt të vitit 2018 ka filluar procesin e regjistrimit të statusit të individëve të dhunuar gjatë luftës dhe verifikimin e tyre.
Deri në muajin prill janë aprovuar 1.473 raste nga të cilat 1.402 janë të gjinisë femërore ndërsa 71 janë të gjinisë mashkullore.