Shiveluch, vullkani më verior aktiv në territorin e Kamçatkës të Rusisë, ka shpërthyer dhe ka shkaktuar një re hiri në një lartësi deri 10 kilometra, duke paraqitur një kërcënim për trafikun ajror, tha Ekipi i Reagimit ndaj Shpërthimit të Vullkanit Kamçatka (KVERT). KVERT lëshoi një alarm të kuq duke vënë në dukje se një “shtëllungë e madhe hiri” po udhëtonte drejt perëndimit. “Aktiviteti i vazhdueshëm mund të ndikojë në fluturimet ndërkombëtare dhe aeroplanët që fluturojnë në lartësi më të ulëta”, thanë ata. Autoritetet lokale mbyllën shkollat dhe urdhëruan banorët e fshatrave të qëndrojnë brenda, pasi reja e hirit mund të përhapet në vendet rreth vullkanit. Një nga vullkanet më të mëdhenj dhe më aktivë në Kamçatka, Shiveluch ka pasur rreth 60 shpërthime të mëdha në vitet e fundit, ku më i fuqishmi ka ndodhur në vitin 2007. Zyrtarët lokalë thanë se vullkani shpërtheu në orën 6:31 të mëngjesit me orën lokale dhe shtëllunga u përhap në shumë fshatra. Banorët u këshilluan të qëndrojnë në shtëpi dhe të shmangin udhëtimet e panevojshme.