FMN: NORMAT E INTERESIT DO TË MUND TË BIEN NË NIVELET PARA COVID-it

Normat e interesit në ekonomitë e mëdha pritet të bien në nivelet para pandemisë së koronavirusit, për shkak të produktivitetit të ulët dhe plakjes së popullsisë, ka thënë Fondi Monetar Ndërkombëtar në parashikimet e fundit. Ky institucion ka thënë se rritja e çmimeve të huamarrjes pritet të jetë “e përkohshme”, pasi inflacioni i lartë të vihet nën kontroll. Bankat Qendrore në Shtetet e Bashkuara, Mbretëri të Bashkuar, Evropë, dhe vende tjera, i kanë rritur normat e interesit për të luftuar rritjen e çmimeve, që ndryshe njihet edhe si inflacion. Në Mbretëri të Bashkuar, inflacioni është në nivelin më të lartë në gati 40 vjet, për shkak të rritjes së çmimeve të energjisë dhe produkteve ushqimore.Një numër faktorësh janë duke ndikuar në rritje të inflacionit, përfshirë luftën e Rusisë në Ukrainë, e cila ka ndikuar në rritje të çmimeve të energjisë. “Kur inflacioni të vihet nën kontroll, Bankat Qendrore të ekonomive të avancuara, do të mund të lehtësojnë politikat monetare dhe të ulin normat e interesit në nivelet para pandemisë”. Ky institucion me bazë në Uashington, ka thënë se plakja e popullsisë do të jetë, po ashtu, një faktor që ndikon në ulje të inflacionit.

SHARE