Ministri turk i Punëve të Jashtme, Mevlüt Çavuşoğlu, ka bërë të ditur se Ankaraja dhe Moska ranë dakord të heqin pengesat ndaj eksporteve ruse të drithërave dhe plehrave bujqësore, raporton Anadolu.
“Korridori i drithërave është dëshmi se dialogu dhe negociatat po funksionojnë. Ne i kushtojmë rëndësi vazhdimit të marrëveshjes. Kjo është e rëndësishme edhe në aspektin e reduktimit të krizës botërore ushqimore. Ne ramë dakord se pengesat ndaj drithërave dhe eksporteve ruse gjithashtu duhet të hiqen. Ne mbështesim përpjekjet për të hequr këto pengesa”, tha Çavuşoğlu në një konferencë të përbashkët për media në Ankara me homologun e tij rus, Sergey Lavrov.
Çavuşoğlu gjithashtu tha se është e rëndësishme të sigurohet edhe dërgesa e amoniakut dhe e plehrave bujqësore ruse.
Ministri turk njoftoi se mbi 27 milionë tonë drithëra janë transportuar në 866 anije përmes korridorit të drithërave të Detit të Zi, që Türkiye ndihmoi duke ndërmjetësuar vitin e kaluar në një përpjekje për të shmangur një krizë të mundshme ushqimore në mes të luftës Rusi-Ukrainë.
Më 22 korrik, Türkiye, Kombet e Bashkuara (OKB), Rusia dhe Ukraina nënshkruan një marrëveshje në Istanbul për të rifilluar eksportet e drithërave nga tre porte ukrainase të Detit të Zi, që u ndërprenë në muajin shkurt të vitit të kaluar për shkak të luftës së Rusisë kundër Ukrainës.
“Lufta, e cila ka më shumë se një vit, vazhdon të dëmtojë mbarë botën. Ne edhe një herë theksuam pritjen tonë që lufta të përfundojë në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe përmes negociatave. Ne po përpiqemi ta zgjidhim problemin duke negociuar me të dyja palët”, tha shefi i diplomacisë turke.
Türkiye, e vlerësuar në nivel ndërkombëtar për rolin e saj ndërmjetësues midis Ukrainës dhe Rusisë, vazhdimisht ka kërkuar nga Kievi dhe Moska që t’i japin fund luftës përmes negociatave.
– Takimi katërpalësh për Sirinë
Më tej, Çavuşoğlu tha se me homologun e tij rus ka diskutuar edhe për një takim të ardhshëm katërpalësh të ministrave të jashtëm, duke përfshirë Iranin dhe Sirinë.
Duke iu referuar takimit të fundit në Moskë të zv/ministrave të jashtëm të katër vendeve, Çavuşoğlu tha se secili vend kishte shprehur hapur qëndrimin dhe pikëpamjet e tij.
“Duam që ky proces të vazhdojë në mënyrë transparente. Dialogu duhet të vazhdojë dhe do të ishte e dobishme të vazhdonin konsultimet në mënyrë të intensifikuar”, shtoi ai.
Në muajin dhjetor, shefat e mbrojtjes dhe ata të inteligjencës të Türkiyes, Rusisë dhe regjimit sirian u takuan në Moskë dhe ranë dakord të vazhdojnë takimet trepalëshe për ta garantuar stabilitetin në Siri dhe rajonin më të gjerë.
Në bisedime u përfshi edhe Irani, ndërsa Türkiye më herët kishte thënë se “Ankaraja do të ishte e kënaqur nëse Irani përfshihet në këtë proces”.
Edhe pse ende nuk është shpallur data ose vendndodhja, me takimin e ministrave të jashtëm do të rifillojnë bisedimet e nivelit të lartë midis Türkiyes dhe fqinjit të saj Sirisë që nga fillimi i luftës civile atje në vitin 2011.
– Sulmet izraelite në Palestinë
Lidhur me sulmet e fundit izraelite në Palestinë, Çavuşoğlu i bëri thirrje Izraelit që të ndalojë “përgjithmonë” sulmet në Xhaminë Al-Aksa dhe sulmet ajrore.
Komentet e ministrit turk vijnë pasi herët në mëngjesin e sotëm ushtria izraelite nisi sulme ajrore në Gaza dhe Libanin jugor.
Situata u përshkallëzua pasi forcat izraelite sulmuan kompleksin e Xhamisë Al-Aksa në Kudsin Lindor të pushtuar duke larguar me forcë besimtarët palestinezë për dy netë me radhë.
“Trajtimi i policisë izraelite është i papranueshëm dhe çnjerëzor. Palestina, Xhamia Al-Aksa dhe Kudsi janë vija jonë e kuqe. Ne kurrë nuk do të bëjmë kompromis për këto çështje”, theksoi Çavuşoğlu.
Ministri turk tha se sot më vonë mund të realizojë një bisedë telefonike me homologun e tij izraelit, Eli Cohen, për të shprehur shqetësimet mbi sulmet e fundit izraelite në Palestinë.