Shqipëria dhe Emiratet e Bashkuara Arabe zgjerojnë bashkëpunimin mes dy vendeve edhe në fushën e sigurisë kibernetike.
Koordinatori Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, Igli Tafa dhe ambasadori i Emirateve të Bashkuara Arabe, Sulaiman Humand Salem Al Mazroui, nënshkruan sot në Tiranë memorandumin e mirëkuptimit për forcimin e sigurisë kibernetike.
Këtë marrëveshje, në një konferencë për shtyp, kryeministri Rama e konsideron të një rëndësie të jashtëzakonshme strategjike për Shqipërinë.
“Dua të falenderoj prej zemrës ambasadorin e Emirateve të Bashkuara Arabe dhe të gjithë ata në këshillimin e Presidentit të Emirateve dhe ministrit të Jashtëm kanë ardhur të nënshkruajnë këtë marrëveshje që është e një rëndësie të jashtëzakonshme strategjike për vendin tonë sepse ka të bëjë me sovranitetin dhe integritetin e këtij vendi me atë çka sot është sot lloji i ri i kërcënimit ndaj sovranitetit dhe integritetit. Jo duke treguar tanket dhe avionët që shkelin integritetin territorial, por duke miratuar dhe duke sulmuar hapësirën kibernetike për të paralizuar të gjitha funksionet shtetërore”, tha Rama.
E pranishme në ceremoninë e nënshkrimit, zv.kryeministrja Belinda Balluku njëherazi ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, tha: “Një nga elementët më të rëndësishëm të këtij memorandumi tha Balluku, është ndarja e informacioneve mes vendeve që i shërben rritjes së sigurisë kibernetike, forcimit të kapaciteteve njerëzore në fushën kibernetike dhe ngritjen e sistemeve të sigurisë”.
“Shqipëria është e vendosur në konsolidimin e hapësirës kibernetike dhe zhvillimin e këtij sektori sipas standardeve më të mira”, u shpreh Balluku.