Mish Viçi me Portokall

A dëshironi të përfitoni nga shijet e stinës për të përgatitur një pjatë të dytë të thjeshtë dhe shumë elegante?

Atëherë kjo recetë me mish viçi dhe me lëng agrumesh është e duhura, sepse ndërthur më së miri aromat dhe shijet mesdhetare në një pjatë të mrekullueshme dhe jo aq të vështirë sa mund të duket.

AgroWeb.org ju njeh në vazhdim me këtë recetë të lehtë, origjinale dhe shumë të shijshme

Përbërësit

  • 500 g mish viçi
  • miell
  • ½ qepë
  • vaj ulliri
  • 100 ml verë e bardhë
  • 1 lugë gjelle mjaltë
  • ½ limon
  • ½ portokall
  • Sherebelë
  • Rozmarinë

Përgatitja

Për të përgatitur recetën, filloni duke hedhur pak vaj në një tigan dhe duke skuqur qepën e grirë sa të marrë ngjyrë të artë.

Ndërkohë në një tas të mbushur me miell, kaloni mishin e viçit.

Pas kësaj vendosni copat e mishit në tigan dhe kuardisini për disa minuta.

Shtoni verën e bardhë dhe lëreni derisa të avullojë.

Hidhni pak sherebelë dhe pak rozmarinë për shije dhe vazhdoni  gatimin edhe për disa minuta.

Shtrydhni gjysmë limoni dhe gjysmë portokalli dhe lëngun hidheni në tigan.

Tani shtoni edhe një lugë gjelle mjaltë dhe lëreni të tretet në salcë.

Ziejeni mishin për tre-katër minuta të tjera, duke e kthyer herë pas here.

Kur mishi të jetë gati, vendoseni në enën e servirjes dhe mbulojeni me salcë.

Në fund dekorojeni me pak lëkurë portokalli të grirë në rende dhe pjata me aromë agrumesh është gati!/AgroWeb.org

SHARE