Aksioni “Stop Inflacionit” po jep rezultate të mëdha deri më tani dhe ka paralajmërime se përveç tregtisë mund t’i bashkohen edhe kompani nga sektorë të tjerë, tha ministri i Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit, Goran Gjuroviq.
Ai në seancën e Qeverisë tha se reagimet në lidhje me aksionin e nisur më 21 mars janë shumë të mira.
“Aksioni dha rezultate sepse ata njerëz që kishin vërtet nevojë për të, ndjejnë përfitimet dhe mendojnë se mund të kursejnë një shumë të caktuar parash”, tha Gjuroviq.
Ai shtoi se ekonomia dalëngadalë po e pranon si të sajin këtë aksion, kështu që përveç gjashtë rrjeteve të shitjes me pakicë që fillimisht u përfshinë në aksion, i janë bashkuar edhe dy të tjerë – Mitros dhe Martex.
“Gjithashtu një njoftim tjetër është se shumë shpejt do të na bashkohet edhe kompania Mil Pop me produktet e saj. Presim një listë produktesh prej tyre. Është shumë e rëndësishme që ky veprim të zgjerohet. Aksionit i është bashkuar edhe Qendra e Muzikës, ndaj çmimi i biletave për eventet muzikore do të jetë më i ulët. Mendoj se shumë shpejt do të dalim me një paketë produktesh apo ilaçesh që do të jenë gjithashtu pjesë e këtij aksioni”, ka thënë Gjuroviq.
Ai vlerësoi gjithashtu se është një gjë e mirë që shitësit me pakicë, përveç produkteve që janë në shportën kundër inflacionit, ngadalë po ulin çmimet.
“Mendoj se shumë produkte janë zbritur në krahasim me periudhën e mëparshme. Ftoj të gjithë ekonominë t’i bashkohet aksionit. Jam i sigurt se së bashku do të arrijmë ta justifikojmë disi emrin e aksionit “Stop inflacionit”, përfundoi Gjuroviq.
Po ashtu, me propozim të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit, Qeveria e Malit të Zi miratoi Programin për Përmirësimin e Konkurrueshmërisë së Ekonomisë për vitin 2023 me vlerë 3 milionë euro, i cili do të kontribuojë në forcimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të ekonomisë malazeze përmes një pakete të masat e mbështetjes financiare dhe jofinanciare.