SERBËT NUK ZBATOJNË UJDINË / DIGJEN MAKINAT ME TARGA TË KOSOVËS NË VERI

Mbrëmë në Zubin-Potok janë djegur dy automjete të serbëve të Kosovës që kishin targa legale “RKS”, deklaroi Blerim Vela, shefi i kabinetit të presidentes të Kosovës, Vjosa Osmani. 

Nëpërmjet një reagimi në rrjetet sociale, Vela ka thënë se “strukturat ilegale të Serbisë po vazhdojnë me frikësimin e serbëve të Kosovës”, derisa ka publikuar edhe fotografitë e automjeteve të djegura.

“Strukturat ilegale të Serbisë vazhdojnë me frikësimin e serbëve lokalë në Zubin Potok. Mbrëmë, dy vetura në pronë të serbëve të Kosovës janë djegur vetëm pasi kishin targa RKS. Sa i përket marrëveshjes së Brukselit, targat e Kosovës janë targat e vetme të ligjshme në gjithë Kosovën”, ka shkruar Vela.

Rastin e ka konfirmuar së voni edhe Policia e Kosovës, e cila në raportin e saj thotë se në stacionin policor në Zubin Potok, mëngjesin e së enjtes janë paraqitur dy ankues meshkuj/kosovar të nacionalitetit serb dhe kanë raportuar se gjatë natës (rreth orës 02:30) nga persona të panjohur iu janë djegur dy automjetet e tyre private me targa “RKS”, të regjistruara sipas tyre një javë më përpara.

“Palët ankuese raportojnë se veturat e tyre kanë qenë të parkuara e lagjen e tyre, para shtëpive të banimit. Pas pranimit të informacioneve njësitet policore menjëherë kanë dal në vendin e ngjarjes duke angazhuar njësitë kompetente policore si dhe janë njoftuar ekspertë të zjarrit”, thuhet në raportin e Policisë.

Policia bëri të ditur se lidhur me rastin janë ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, është njoftuar prokurori kompetent me udhëzim të të cilit është iniciuar rasti “zjarrvënie” për procedura të mëtejme hetimore.

Qeveria e Kosovës ka kërkuar disa herë që automjetet me targa ilegale që kryesisht qarkullojnë në komunat me shumicë serbe në Kosovë të regjistrohen në “RKS”, por, një pjesë e serbëve përfshirë edhe zyrtarët e partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, Listës Serbe, e kanë kundërshtuar këtë vendim.

Madje, zyrtarët e Listës Serbe kanë dhënë edhe dorëheqje nga institucionet kosovare nga nëntori i vitit 2022 për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për legalizimin e targave ilegale.

Autoritetet kosovare kanë vlerësuar se në pjesën veriore të Kosovës qarkullojnë rreth 10 mijë automjete me targa ilegale të lëshuara nga Serbia.

SHARE