Speca me Lëng

Zahiretë e dimrit janë një specialitet i vjetër i të gjithë viseve të Shqipërisë.

Nga Veriu e deri në Jug, qytetet kanë specialitetet e tyre për të cilat shquhen.

Mund të përmendim lakrën turshi të plotë dhe lëngun e rasojit të zonave veriore apo petkat dhe roshnicat e qyteteve jugore.

Ajo që këto receta i sjellin kulinarisë së vendit është një shije unike e të papërsëritshme e cila është kthyer në një pikë të fortë të turizmit.

Edhe pjata që AgroWeb.org ju sugjeron sot është pjesë e recetave që përmendëm lart.

Specat e pjekur dhe të ruajtur në një salcë qumështi të fermentuar dhe djathë të thërrmuar, janë thjesht fantastik.

Mund t’i keni provuar si meze nëpër restorante tradite, apo mund t’i keni përgatitur në shtëpi pasi receta është pjesë e familjes.

AgroWeb.org tregon mënyrën e thjeshtë dhe të shpejtë për t’i shijuar ato që të gjithë të pasionuarit e kulinarisë.

Përbërësit

10 speca

2L qumësht

2-3 lugë gjelle kripë

150g djathë

Përgatitja

Si fillim AgroWeb.org ju sugjeron që të piqni specat në furrë derisa të zbuten.

Më pas spërkatini me pak kripë dhe futini në një enë apo kavanoz qelqi.

Sigurohuni që ena të mbajë rreth 2-3 litra, nëse dëshironi mund të përdorni edhe kavanozat e turshive.

Në një tenxhere hidhni qumështin dhe lëreni të ziejë sa më shumë në mënyrë që të avullojë sa më shumë ujin që përmban.

Kjo është shumë e thjeshtë mjafton që pasi të fryhet ulni flakën dhe përziejeni me një lugë.

Më pas qumështin lëreni të ftohet dhe hidhini 2-3 lugë gjelle me kripë dhe përziejeni derisa ajo të tretet.

Qumështin e ftohur të kriposur hidheni mbi specat në kavanoz dhe mbylleni me kapak.

Enën lëreni në një vend të thatë dhe larg diellit për 3-4 ditë në mënyrë që qumështi të fermentohet.

Kur të kenë kaluar të paktën 4 ditë hapeni kavanozin dhe mund t’i shtoni pak djathë të thërrmuar për një shije akoma edhe më të mirë.

Këtë përzierje mund ta shoqëroni me petulla, pogaçë, kulaç shtëpie apo bukë misri./AgroWeb.org

SHARE