KURTI: MARRËVESHJA DUHET TË ZBATOHET SAKTË DHE SHPEJT

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të mërkurën se Marrëveshja e arritur me Serbinë për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve, duhet të zbatohet saktë dhe shpejt.

Ai i ka bërë këto deklarata teksa e ka komentuar takimin e planifikuar për 4 prill në Bruksel, në mes të dy kryenegociatorëve në dialogun Kosovë-Serbi.

Kryenegociatori i Kosovës për këto takime është zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi, ndërsa i Serbisë është udhëheqësi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.

“Më 4 prill, ata do të diskutojnë çështjen e zbatimit të Marrëveshjes që tashmë është dakorduar. Pra, ka marrëveshje, ekziston marrëveshja. Ajo është shumë e qartë, publike për të gjithë”.

Kosova dhe Serbia kanë arritur Marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve më 27 shkurt në Bruksel, dhe më pas për aneksin e zbatimit të saj më 18 mars në Ohër.

Kryeministri Kurti u ka thënë gazetarëve në Prishtinë se Marrëveshja duhet të zbatohet e tëra.

“Nuk ka mundësi që diçka të zbatohet e diçka të mos zbatohet. Ashtu siç nuk mund të ketë nënshkrim të njëanshëm të Marrëveshjes, dhe as të aneksit të zbatimit, njësoj nuk mund të ketë as zbatim të njëanshëm të Marrëveshjes. Prandaj, Marrëveshjen nuk duhet ta coptojmë”, ka thënë ai.

Edhe Bashkimi Evropian ka konfirmuar se në takimin e 4 prillit palët do të diskutojnë për hapat e radhës drejt zbatimit të Marrëveshjes.

SHARE