Kryeministri i Malit të Zi Dritan Abazoviq tha se Mali i Zi është i gatshëm të kontribuojë dhe të mbështesë procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.
Ai theksoi se Mali i Zi “luan rolin e një pajtuesi” në rajon.
“Ne kemi marrëdhënie të shkëlqyera me të gjitha vendet fqinje dhe jemi të etur të ndihmojmë në çfarëdo mënyre, duke përfshirë mbështetjen logjistike”, tha Abazoviq në një intervistë për Pavlovic Today, gjatë vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kryeministri ofroi gjithashtu që Mali i Zi të presë një raund të ri të mundshëm negociatash midis Beogradit dhe Prishtinës.
“Ne nuk jemi pjesë e dialogut, por besoj se propozimi evropian paraqet një zgjidhje të mirë, të favorshme për Serbinë dhe Kosovën”, tha Abazoviq.
Ai theksoi se edhe Serbia edhe Kosova duhet të respektojnë dispozitat specifike të aneksit zbatues, duke përfshirë ato se Serbia nuk e bllokon pranimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe se Kosova formon një Asociacion të komunave me shumicë serbe.