ABAZOVIQ FTOI DREJTORESHEN E EUROPOL-it PËR TA VIZITUAR MALIN E ZI

Kryeministri i Malit të Zi në mandatin teknik Dritan Abazoviq falënderoi në emër të tij dhe në emër të Qeverisë mbështetjen që EUROPOL, në krye me Drejtoreshën Ekzekutive Katrin de Bol, i ka dhënë institucioneve malazeze në periudhën paraprake.

Në letrën e tij falënderuese për De Bol, Abazoviq ka kujtuar se ditët e kaluara është kryer një aksion i gjerë i cili, siç ka thënë ai, ka mundësuar kontaktin me persona brenda Drejtorisë së Policisë, të cilët janë të lidhur me grupe kriminale.

“Aksioni, i cili është rezultat i punës disamujore dhe i veprimit të koordinuar të Prokurorisë Speciale të Shtetit, Departamentit të Policisë Speciale dhe Europolit, është historik për Malin e Zi sepse ka kontribuar në shtypjen e strukturave kriminale brenda institucioneve të sistemit, përfshirë në trafikun e drogës dhe dha një nxitje shtesë për të vazhduar edhe më me vendosmëri reformat në këtë fushë”, thekson Abazoviq.

Ai tha se është i bindur se së bashku përmes dialogut të rregullt do të vazhdojnë të forcojnë bashkëpunimin, në interes të përbashkët, për të cilin, shton kryeministri, mbetet sinqerisht i përkushtuar.

“Prandaj, me falënderime të përsëritura për kontributin dhe përpjekjet e padyshimta të bëra në drejtim të forcimit të partneritetit tonë, shfrytëzoj rastin t’ju dërgoj juve dhe ekipit tuaj një ftesë për të vizituar Malin e Zi në një kohë për të cilën jemi dakord reciprokisht”, përfundon Abazoviq në letër.

SHARE