KOSOVË, PROTESTË KUNDËR MARRËVESHJES SË OHRIT DHE PËR DORËHEQJE TË KRYEMINISTRIT KURTI

Dhjetëra qytetarë dhe përfaqësues të Partisë Socialdemokrate (PSD) kanë protestuar sot në sheshet e kryeqytetit dhe para Qeverisë së Kosovës kundër marrëveshjes së arritur në Ohër më 18 mars në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Në këtë protestë në të cilën morën pjesë edhe deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), anëtarë të partisë Nisma Socialdemokrate dhe pjesëtarë të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së u kërkua edhe dorëheqja e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Protestuesit pasi hoqën flamujt shtetërorë para Qeverisë së Kosovës, vendosën flamuj të bardhë në shenjë dorëzimi të Qeverisë për të rezistuar në formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Kreu i PSD-së, Dardan Molliqaj ka thënë se marrëveshja e Ohrit është marrëveshje e keqe dhe nuk ka argumente për të mos e kundërshtuar atë.

Ai tha se Kurti po përpiqet që t’ia ndryshojë emrin Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Vetëmenaxhim.

“Nuk ka emër që e zëvendëson atë që po i ndodhë Kosovës. Ajo që po i ndodhë Kosovës është e qartë: është autonomi territoriale, etnike për komunitetin serb në Kosovë. Po ashtu, autonomi ose zona të veçanta që kanë karakter eksterritorial përreth kishave dhe manastireve ortodokse. Besoni që në rrugëtimin e tij për t’ia ndërruar emrin nga ‘Zajednicë’ në Vetëmenaxhim ajo çfarë do të mbetet si dëshmi e kësaj kohe dhe kësaj qeverie është që Albini ia ka ndërruar mbiemrin vetes nga Kurti në ‘Zajednicë'”, theksoi Molliqaj.

Protesta përfundoi me hedhje të tymit të zi në godinën e Qeverisë së Kosovës, për të cilën PSD tha se ka për qëllim të tregojë që Qeveria ia ka zymtuar perspektivën Kosovës.

SHARE