ME NJË KLIKIM DERI TEK TREGTIA, POR EDHE MASHTRIMI

Që nga fillimi i vitit, 11 blerje online kanë rezultuar me denoncim në Inspektimin e Tregut. Parregullsitë kishin të bënin me ankesat për orët, parfumet, make-up, garderobat, rubinetat, makinat rroje e të tjera, dhe klientët pretendonin se produkti i marrë nuk ishte i njëjtë si në foto. Gjithashtu u raportua se dërgesa është vonuar, si dhe se çmimi që korrieri kërkon për dërgesë është më i lartë se ai i treguar gjatë porosisë. Kryeinspektorja e tregut, Marina Radulloviq, tha për Portalin RTMZ, në tre muajt e vitit 2023, nga shërbimet korriere janë konfiskuar mallra të falsifikuara në vlerë prej 19,437 euro.

Për shkak të parregullsive të konstatuara, pas kontaktit të inspektorit me administratorët e faqeve të internetit të dyqaneve online të regjistruara, paratë iu janë kthyer klientëve në dy raste. Në raste të tjera, ankesat e konsumatorëve nuk mund të trajtoheshin.

“Në mënyrë që inspektori i tregut të fillojë procedurën e mbikëqyrjes inspektuese, është e nevojshme që në përputhje me nenin 12 të Ligjit për Inspektimin e Tregut, të vërtetohet identiteti i personit që kryen veprimtarinë, përkatësisht shet mallin. Nëse është një tregtar që është i regjistruar për të kryer këtë lloj aktiviteti, në përputhje me dispozitat e Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorit, konsumatori ka të gjitha të drejtat si kur blen në një dyqan klasik, me faktin se, ndryshe nga një dyqan klasik, konsumatori ka të drejtë në zgjidhjen e njëanshme të kontratës, ndër të tjera, ta kthejë mallin në afat prej 14 ditësh nga dita e dorëzimit të mallit, pa dhënë arsye”, thotë Radulloviq.

Duke blerë përmes rrjeteve sociale, konsumatori nuk i gëzon këto të drejta.

“Nëse bëhet fjalë për shitje përmes internetit, përmes rrjeteve sociale, atëherë zakonisht nuk është tregtar dhe konsumatori nuk ka mbrojtje administrative dhe ligjore. Kur identifikohen personat që bëjnë tregti përmes rrjeteve sociale, si përmes Facebook-ut dhe të tjerëve, merren masa për tregti të paligjshme në përputhje me dispozitat e Ligjit për tregtinë e brendshme”, thotë kryeinspektorja e tregut.

SHARE