Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani bashkë me ambasadorë të shteteve të QUINT-it, kanë bërë homazhe te Memoriali i ushtarëve të rënë të NATO-s për lirinë e Kosovës, në 24-vjetorin e fillimit të intervenimit të NATO-s, me të cilin iu dha fundi gjenocidit të regjimit gjenocidal të Serbisë ndaj qytetarëve të Kosovës.
Osmani theksoi se vullneti i popullit të Kosovës për liri mori mbështetjen e duhur nga ana e botës perëndimore, botës së lirë, e cila, siç tha ajo, u vu në anën e duhur të historisë, në anën e së drejtës.
Më tej, presidentja Osmani theksoi se NATO-ja ia pamundësoi regjimit kriminal spastrimin etnik të popullit të Kosovës.
“Prandaj u jemi përherë mirënjohës. 24 Marsi është dita e kthesës, shpresës dhe lirisë. Do ta përsërisim çdo herë se populli i Kosovës ishte viktimë më 1999, ndërkaq Serbia ishte agresore. Kështu do të jetë gjithnjë në analet e historisë”, është shprehur tutje ajo.
Sipas presidentes Osmani, liria është një gurë themeltar i dinjitetit njerëzor dhe ajo nuk është gjithmonë e lehtë për t’u ruajtur.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një fjalimi në Gllogjan, ku u shënua Epopeja e Dukagjinit, tha se drejtësia dhe fisnikëria e popullit të Kosovës “bëri që në mbështetje, në krahun tonë, të fitonim aleatë”.
Edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka thënë se nën komandën e gjeneralit Wesley Clark, fushata bombarduese 78 ditore e NATO-s në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i dha fund spastrimit etnik dhe gjenocidit mbi shqiptarët në Kosovë.
Më 24 mars bëhen 24 vjet nga fillimi i sulmeve ajrore të Aleancës Veri-Atlantike kundër caqeve ushtarake policore në ish-Jugosllavi.
Pas 78-ditësh të sulmeve, bombardimet u ndërprenë më 10 qershor 1999, me Marrëveshjen Teknike të Kumanovës, e cila parashihte tërheqjen e të gjitha forcave ushtarake dhe policore serbe nga Kosova.
Marrëveshje u pasua me miratimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.