SAMITI I BE-së: MË SHUMË MUNICION PËR UKRAINËN

Kriza klimatike dhe lufta agresore ruse në Ukrainë dominojnë agjendën e samitit të BE-së.

Antonio Guterres, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, i ftuari në samitin e Bashkimit Evropian nuk i kurseu fjalët dramatike: “Ne jemi afër pikës ku do të jetë e pamundur të arrijmë objektivin 1.5 gradë. Kjo është arsyeja pse kemi nevojë për veprim vendimtar.” Shefi i OKB-së iu referua marrëveshjes ndërkombëtare për të kufizuar ngrohjen globale në 1.5 gradë deri në vitin 2030.

Pasi Këshilli Ndërqeveritar i OKB-së për Ndryshimet Klimatike (IPCC) dhe Konferenca Botërore për Ujin parashikuan këtë javë një përkeqësim të shpejtë të kushteve klimatike dhe gjendjes së ujërave në botë, Guterres dha këtë mesazh për Bashkimin Evropian: “Ne llogarisim shumë që Bashkimi Evropian të udhëheqë. proceset e nevojshme të ndryshimit për t’u kthyer në objektivin e vitit 2030.”

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së bëri thirrje që të përshpejtohen përpjekjet për të mbrojtur klimën.

Kombinimi i krizës klimatike, efektet e luftës ruse kundër Ukrainës, pasojat e pandemisë dhe rritja e çmimeve në tregjet botërore mund të kenë pasoja fatale. “Uria dhe varfëria po rriten”, tha Guterres.

BE-ja përshëndeti faktin që Guterres kishte arritur të paktën të pengonte ndërprerjen e marrëveshjes Ukrainë-Rusi për eksportin e grurit përmes Detit të Zi.


Municione për Ukrainën


Në një video-konferencë me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenski, krerët e shteteve dhe qeverive të BE-së u përditësuan me situatën në luftën agresionit rus kundër Ukrainës.

Ata miratuan një plan për ta furnizuar këtë vit Ukrainën me një milion predha tejet të nevojshme, që kanë një kosto prej 2 miliardë eurosh. Për këtë do të përdoren fondet e BE-së.

Shefi i politikës së jashtme të BE-së Josep Borrell tha në Bruksel se vendet anëtare të BE-së do të pastrojnë rezervat nga depot e tyre dhe për këtë do të kompensohen nga BE-ja. Përveç kësaj u ra dakord që të porositen bashkërisht municione të reja tek koncernet e industrisë së armëve. Për këtë koncerneve do t’u jepen garanci për zgjerimin e kapaciteteve. Në të njëjtën kohë do të kufizohen çmimet e municioneve të artilerisë, të cilat gjatë vitit të kaluar janë dyfishuar.

“Nëse bëjmë një prokurim të përbashkët, industria e armëve mund ta dyfishojë vërtet prodhimin e saj, gjë që deri tani nuk ka ndodhur”, tha kryeministrja e Estonisë Kaja Kallas, e cila është veçanërisht e angazhuar për furnizimin e Ukrainës me municione.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenski përsëriti thirrjen e tij për më shumë armë, më shumë avionë luftarakë dhe raketa me rreze të gjatë veprimi.

Deri tani Bashkimi Evropian ka qenë përgjithësisht i kujdesshëm në këtë fushë. Polonia ka premtuar dërgimin e disa avionëve luftarakë ndërsa Gjermania vazhdon të ngurrojë.

SHARE