MBI 1 MILION PROTESTUES NË RRUGËT E FRANCËS, I VIHET ZJARRI BASHKISË SË BORDOS

Më shumë se 1 milion francezë dolën në rrugë për të kundërshtuar reformën që parashikon rritje graduale të moshës së pensionit në 64 vjeç.

Të enjten u mbajtën protesta në të gjithë Francën, të thirrura nga sindikatat kundër reformës, e cila përfshin rritjen e moshës së pensionit me dy vjet, nga 62 në 64. Protestuesit kërkuan që qeveria të heq dorë nga reforma, e cila u miratua pa votim në Parlament.

Tensionet mes policisë dhe protestuesve shpërthyen në Dijon, Rennes dhe Rouen.

Në protestën e autorizuar nga policia në Paris, shpërtheu një përleshje mes policisë dhe demonstruesve. D

isa nga protestuesit i vunë zjarrin mbeturinave dhe koshave të plehrave në rrugët e kryeqytetit dhe shkatërruan stacionet e autobusëve.

Ministri i Brendshëm francez, Gerald Darmanin tha se gjatë protestave janë arrestuar të paktën 172 persona ndërsa 149 policë janë plagosur. Ai tha se 140 zjarre janë shuar në të gjithë vendin dhe 50 të tjera janë aktive në Paris.

Sipas organizatorëve, protestave në Francë iu përgjigjën 3.5 milionë njerëz ndërkaq sipas Ministrisë së Brendshme, më shumë se 1 milion njerëz. Kundërshtarët e reformës i vunë flakën portës së Bashkisë në qytetin Bordo.

Kryeministrja Elisabeth Borne tha se dhuna dhe shkatërrimi janë “të papranueshme”.

Franca është përballur me protesta të vazhdueshme që nga 16 marsi, kur presidenti Emmanuel Macron dhe kryeministrja Elisabeth Borne vendosën të thirren në autorizimet kushtetuese për miratimin e ligjit për reformën e pensioneve pa pëlqimin e Parlamentit.

Gjatë këtyre protestave ka pasur dhunë dhe vandalizëm ndërsa qindra persona janë arrestuar gjatë fundjavës dhe ditëve të mëparshme.

Reformat përfshijnë rritjen e moshës së pensionit nga 62 në 64 vjeç si dhe të paktën 43 vjet punë për t’u kualifikuar për pension të plotë.

Plani ka ngjallur zemërim publik që kur u propozua vitin e kaluar, duke nxitur protesta dhe greva masive në të gjithë vendin që nga janari.

SHARE