Ekipi i Ministrisë së Financave dhe Bankës Qendrore të Malit të Zi, i kryesuar nga ministri Aleksandar Damjanoviq, është takuar sot me përfaqësues të Korporatës së Bankës së Amerikës (BofA).
Vizita e ekipit menaxhues rajonal të Korporatës së Bankës së Amerikës u organizua në kuadër të një turnit në vendet e Ballkanit Perëndimor, me qëllim njohjen e investitorëve potencialë me kuadrin e përgjithshëm makroekonomik dhe fiskal të vendit tonë, me theks në fushat me rëndësi strategjike për zhvillimin e ekonomisë malazeze që janë tërheqëse për investime.
Ministri Damjanoviq prezantoi se ekonomia malazeze është e vogël, e hapur dhe fleksibile dhe se qendra e aktivitetit ekonomik është e bazuar në turizëm, ndërsa potenciali për rritje dhe zhvillim më të shpejtë njihet në fushën e energjisë, transportit dhe teknologjive informative.
Në kuadrin e infrastrukturës, siç theksoi ministri, Mali i Zi ka një pozicion atraktiv gjeografik që mundëson lidhje të mirë tokësore dhe detare dhe që me modernizimin e hekurudhës dhe përfundimin e autostradës, mund të bëhet një qendër e re tranziti për këtë pjesë të Evropës.
Ministri tha se takimi i sotëm është dëshmi se Mali i Zi dëshiron të harmonizojë prioritetet e tij euroatlantike me ato ekonomike dhe të forcojë ekonominë malazeze me partneritete të reja me investitorë të njohur nga toka amerikane.