Ministria ruse e mbrojtjes tha se një avion rus Su-35 ishte ngritur në fluturim mbi detin Baltik të hënën pasi dy bombardues strategjikë amerikanë fluturuan në drejtim të kufirit rus, por ai u kthye në bazë pasi avionët amerikanë u larguan.
Ngjarja pason rrëzimin e një droni amerikan në detin e zi, më 14 mars, pasi ai ishte pikasur nga avionët rusë në atë që është përplasja e parë direkte ushtarake, e njohur, mes Rusisë dhe SHBA që kur Moska pushtoi Ukrainën vitin e kaluar.
“Më 20 Mars, radarët e forcave të mbrojtjes ajrore pikasën mbi detin baltik dy shënjestra ajrore që fluturonin në drejtim të kufirit shtetëror të federatës ruse”, tha ministria e mbrojtjes në kanalin e saj në Telegram.
Ajo shtoi se shënjestrat ishin bombardues strategjikë B52 të forcës ajrore amerikane. Në deklaratë ndërkohë u tha se një avion rus Su-35 u ngrit në ajër me qëllim që të pengonte shkeljen e kufirit dhe se pas kësaj, dy avionët e huaj ishin larguar.
Ministria ruse tha ndërkohë se fluturimi i Su-35 ishte në linjë me rregullat ndërkombëtare të përdorimit të hapësirës ajrore. Asnjë dhunim i kufirit shtetëror të federatës ruse nuk do të lejohet – nënvizoi ajo.