SOT SHËNOHET DITA BOTËRORE E SINDROMËS DOWN

Si vitet e tjera edhe këtë vit, 21 marsi shënon përvjetorin e  Ditës Botërore të Sindromës Down.

Çdo vit, zëri i personave me këtë sindromë, si dhe i personave që jetojnë apo punojnë me ta, bëhet më i fortë. Sindroma Down, e njohur gjithashtu si trisomi në kromozomin 21, është e lidhur me një vonesë në aftësitë njohëse dhe rritjen fizike, të cilat i bashkangjiten edhe disa karakteristikave të fytyrës.

Mesatarja e inteligjencës së personave me këtë sindromë është rreth 50, krahasuar me një mesatare të koeficientit të inteligjencës 100 te fëmijët normalë.

Shfaqja e sindromës Down është vlerësuar 4.6 për 10 000 lindje dhe është hasur te të gjitha popullatat. Sindroma Down u përcaktua fillimisht si çrregullim kromozomik në vitin 1959 nga një pediatër dhe gjenetist francez, Jérôme Lejeune.

Personat me sindromën Down gëzojnë të drejta të plota dhe të barabarta me gjithë të tjerët. Kjo nënkupton mundësinë për pjesëmarrje të plotë në komunitetin e tyre. Realiteti tregon se, prania e qëndrimeve negative kundrejt këtyre personave sjell pritshmëri të ulëta, diskriminim dhe përjashtim, duke krijuar komunitete në të cilat fëmijët dhe të rriturit me sindromin Down nuk mund të integrohen në mënyrë të barabartë.

Në ato vende ku fëmijëve me sindromën Down u jepen mundësi për pjesëmarrje, duke krijuar mjedise shoqërore, pranuese, respekti dhe pritshmëri të larta, të cilat rezultojnë të jenë shumë efektive për këta persona. Jo vetëm kaq, por këto mjedise u mundësojnë fëmijëve me sindromën Down të jetojnë dhe të punojnë me besimin në autonominë individuale, të përfshirë plotësisht në shoqëri së bashku me moshatarët e tyre.

SHARE