Kuvendi i Malit të Zi sot sërish miratoi ndryshimet në Ligjin për Vetëqeverisje Lokale.
Për ndryshimet në ligj votuan 41 deputetë, nuk pati asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim.
Presidenti aktual i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, më 4 janar i’a ktheu Kuvendit për rishqyrtim ndryshimet në Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale, të cilin Kuvendi i miratoi më 28 dhjetor.
Ndryshimet në ligj parashikojnë se kriza në Podgoricë do të zgjidhet me përfundimin e mandatit të këshilltarëve 60 ditë pas zgjedhjeve, nëse deri atëherë Komisioni Zgjedhor i Kryeqytetit nuk shpall rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve lokale.
Në atë rast, Qeveria me aktin e saj konstaton ndërprerjen e mandatit të Kuvendit lokal dhe me propozimin e Ministrisë emëron Bordin e Komisionit.
Pasi Kuvendi i miratoi sërish ndryshimet në këtë ligj, presidenti është i detyruar ta shpallë atë.
Në ndërkohë, Gjykata Kushtetuese hodhi poshtë të gjitha kundërshtimet për rezultatet e zgjedhjeve lokale në Podgoricë, ndërsa Komisioni Zgjedhor i Kryeqytetit shpalli rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve në Podgoricë.
Në fillim të seancës, lideri i DEMOS-it, Miodrag Lekiq, duke folur për mandatin që i është dhënë për formimin e qeverisë së re, tha se nuk është arritur shumica për formimin e saj.
Ai tha se askush nuk ka ndërhyrë në formimin e asaj qeverie, as faktorë të jashtëm dhe as të brendshëm.
“Dua të besoj se po vjen koha kur ne do të formojmë qeveri në bazë të rregullave të demokracisë, pa ndikime të tilla, sepse tashmë na ka kushtuar shumë”, tha Lekiq.
Ai tha se Qeveria e 44-të do të formohet patjetër.
“I uroj suksese mandatarit dhe shumicës serioze. Jemi duke hyrë në një kurs të ri të proceseve zgjedhore”, tha Lekiq.