BETEJA PËR BAHMUTIN VAZHDON, TEKSA BE-ja DISKUTON PËR MUNICIONET PËR UKRAINËN

Forcat ukrainase kanë zmbrapsur sulmet e reja ruse në Bahmut në 24 orët e fundit.

Beteja për këtë qytet të shkatërruar ukrainas, që gjendet në rajonin lindor të Donjeckut po vazhdon, teksa ministrat e Bashkimit Evropian më 20 mars po përgatiten të diskutojnë për një plan prej 2 miliardë eurosh për furnizimin me municion, që Ukraina ka shumë nevojë.

Forcat ruse kanë kryer 69 sulme në ditën paraprake në Bahmut dhe në vendbanimet afër, në Avdijivka, Liman, Marjinka dhe Shahtarsk, tha Shtabi i Përgjithshëm i forcave ukrainase.

Sipas ushtrisë ukrainase, forcat ruse kanë vazhduar të sulmojnë vendbanimet civile në rajonet e Donjeckut dhe Zaporizhjës, duke shkaktuar viktima në mesin e civilëve dhe duke dëmtuar infrastrukturën.

Në pjesët e pushtuara nga Moska në rajonin jugor të Hersonit, ushtarët rusë që gjenden në pika të kontrollit po detyrojnë civilët që të pajisen me pasaporta ruse, duke i kërcënuar ata me dhunë dhe burgim, u tha në njoftimin e ushtrisë ukrainase.

Pjesët perëndimore të Hersonit, përfshirë qytetin e Hersonit, u çliruan nga forcat ukrainase nëntorin e vitit të kaluar, ndërkaq rusët u tërhoqën në anën tjetër të lumit Dnjepër.

Në Bruksel, ministrat e Jashtëm dhe të Mbrojtjes së BE-së mblidhen më 20 mars për të diskutuar planet për t’i ofruar municion Ukrainës në vlerë prej 2 miliardë eurosh në bazë të planit që përfshin blerjen e përbashkët të municionit nga blloku evropian.

SHARE