MACRON ANASHKALON PARLAMENTIN PËR PENSIONET, SHPËRTHEJNË FRANCEZËT

Në skena që rikthyen në kujtesë lëvizjen e jelekëverdhëve, protestuesit në Paris janë përleshur me policinë pasi qeveria franceze vendosi ta miratojë forcërisht reformën e pensioneve, duke anashkaluar votimin në parlament.

Vendimi i ekzekutivit u mor vetëm disa minuta përpara se ligjvënësit të votonin për projektligjin e polemizues, dhe nuk kishte asnjë garanci se qeveria do të mund të siguronte shumicën e votave të Asamblesë për nismën e saj.

Kjo lëvizje shkaktoi tërbimin e politikanëve të opozitës, të cilët iu kthyen ashpër kryeministres e kënduan Marsejezën në sallën e parlamentit. Liderja e ekstremit të djathtë, Marine le Pen bëri thirrje për paraqitjen e një mocioni mosbesimi kundër qeverisë së Macronit, ndërsa kryetarja e partisë së majtë La France Insoumise (LFI), Mathilde Panot, shkroi në Twitter se presidenti e zhyti vendin në një krize qeveritare pa legjitimitet parlamentar apo popullor.

Protesta pati edhe në qytete të tjera të Francës, ku tubuesit kanë vërshuar në rrugë duke kënduar himin kombëtar e duke valëvitur flamujt e sindikatave.

SHARE