Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë dhe zyrtarë nga Republika e Kosovës, përshëndeten dhe mirëpriten Marrëveshjen e nënshkruar më 30 janar në Tuz mes subjekteve politike shqiptare.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë përshëndet dhe mirëpret Marrëveshjen e nënshkruar më 30 janar në Tuz të Malit të Zi mes subjekteve politike të Alternativës Shqiptare, Lidhjes Demokratike Shqiptare dhe Unionit Demokratik të Shqiptarëve, për koalicion parazgjedhor “Forumi Shqiptar” në zgjedhjet lokale për Komunën e Tuzit, më 3 mars 2019.
Sipas MEP-së, së Shqipërisë, kjo Marrëveshje siguron unifikimin e aksionit politik dhe maksimizimin e votës së shqiptarëve, si dhe mundëson përfaqësimin e partive shqiptare me një listë të vetme nën sloganin “Malësia na Bashkon”.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme shpreh bindjen e plotë se ky bashkëpunim i shumëpritur do të jetë afatgjatë dhe do të shtrihet edhe në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme në Mal të Zi.
Së bashku këto parti do të përfaqësojnë më së miri interesat dhe aspiratat e shqiptarëve në Malin e Zi kumtuan nga MEP-ja.
Edhe Zëvendës-Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Anton Berisha, permes një postimi në faqen e tij zyrtare, mbështet koalicionin ASH-LDSH-UDSH, për zgjedhjet lokale të 3 Marsit në Tuz.
Berisha shprehet se në një bashkëbisedim vëllazëror me liderët politik ka shprehur konsideratën e larte të tij dhe te kryeministrit z.Ramush Haradinaj, për shqiptaret e Tuzit por edhe te gjitha viseve në Mal të Zi.
“Arritja e marrëveshjes për krijimin e një liste te përbashkët te tyre, ‘Forumi Shqiptar’ me sloganin ‘Malësia na Bashkon’ për zgjedhjet e marsit ne Komunën e Tuzit, është tregues i maturisë politike te subjekteve shqiptare atje, dhe një mundësi e mire qe malësoret te udhëheqin me komunën e tyre.
Unë, ju uroj suksese dhe i falënderoj udhëheqësit e tyre, te cilët një pjese te formësimit intelektual e kane arritur gjate kohës sa ishin studente te Prishtinës, dhe ju garantoj përkrahjen tonë të plote ne realizimin e te drejtave te tyre, si dhe ne kontributin e një bashkëjetese dhe bashkëpunimi me malazezet, qe do te ndikonte edhe me shume ne marrëdhëniet shume te mira fqinjësore ndërmjet Kosovës e Malit të Zi”, deklaroi Berisha.
Ndërkohë Ambasadori i Republikës së Kosovës në Mal të Zi, Skënder Durmishi, deklaroi se Partitë politike shqiptare në Tuz, ASH, LDSH dhe UDSH, duke u pajtuar që të dalin me një listë të përbashkët në zgjedhjet lokale të datës 3 mars, dëshmuan pjekuri e përgjegjësi të lartë e cila do të shpërblehet me besimin e qytetarëve.
“Koalicioni nuk është qëllim por mjet, është hap dhe veprim në procesin e realizmit të qëllimit madhor që është qeverisja e mirë e komunës, si parakusht për zhvillim, shfrytëzimin racional te potencialeve, për ndërtimin e jetës më të mirë e prosperuese të votuesve të tyre dhe mtë gjithë banorëve të Tuzit dhe Malësisë”, deklaroi Durmishi.
Ndërkaq, Deputeti i Parlamentit të Shqipërisë nga radhët e Partisë Demokratike, Romeo Gurakuqi, mbështet koalicionin midis ASH-LDSH-UDSH.
“Rivendosja e kontrollit politik te shqiptareve ne shtëpinë e tyre ne Malësi, do te thotë: zotim i plote i te drejtave te percaktueme nga kushtetuta e vendit ku sot ata jetojnë, përkundër përpjekjeve sublime te etërve te tyre famëmëdhenj për te qene pjese përbërëse e shtetit te tyre ame; ma shume investime dhe punësim për shqiptaret ne atë pjese te Alpeve dhe ultësirës përgjatë pjesës veriore te Liqenit te Shkodrës; ndalje e kolonizimit dhe zaptimit te pronave private dhe komunitare te Malësoreve, prona qe shtrihen prej kohesh qe nuk mbahen mend, ne një sipërfaqe te madhe deri ne hyrje te kryeqytetit malazias”, deklaroi ndër të tjera Gurakuqi.