Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se ka zhvilluar një “bisedë të hapur dhe korrekte” me të dërguarin e posaçëm të Departamentit amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Escobar më 15 mars nisi vizitën e tij në Serbi, ku përveç Vuçiqit, do të takohet edhe me kryeministren serbe, Ana Bërnabiq.
“Besoj në përmirësimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe SHBA-së”, shkroi Vuçiq në llogarinë e tij në Instagram.
Vizita e zyrtarit të lartë amerikan në Beograd vjen dy ditë para rundit të ri të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që do të mbahet më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut, ku palët do të bisedojnë për zbatimin e propozimit evropian.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha sot se plani i Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi “është marrëveshja më e mirë në dispozicion” që do të çojë në njohje të ndërsjellë midis dy vendeve.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti serb ende nuk e kanë nënshkruar propozimin, por janë pajtuar se nuk ka nevojë që për këtë dokument të ketë negociata të mëtejme.